Rusia ka thënë më 20 dhjetor se do të dëbojë dy diplomatë gjermanë nga Moska si shenjë hakmarrjeje ndaj një vendimi të ngjashëm të Berlinit.
Autoritetet gjermane kanë dëbuar dy diplomatë ditë më parë pasi një gjykatë në Berlin ka dënuar një rus për të shtëna fatale me armë zjarri ndaj një ish-militanti çeçen më 2019 në Berlin, nën urdhrat e Moskës.
“Ambasadori gjerman është informuar për shpalljen e dy diplomatëve të Ambasadës gjermane në Rusi si ‘persona të padëshiruar’ në përputhje me vendimin e Qeverisë Gjermane”, është thënë në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Rusisë më 20 dhjetor.
Në njoftim nuk është përmendur data kur duhet të largohen diplomatët gjermanë nga Rusia.
Në vendimin e 15 dhjetorit, një gjykatë në Berlin ka thënë se të dhënat kanë treguar se Moska ka luajtur rol në vrasjen e Tornike Kavtarashvilit në një park në Berlin.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka thënë se përfshirja e Rusisë në vrasje përbën “shkelje serioze të ligjit gjerman dhe sovranitetit të Republikës Federale të Gjermanisë”.
Ministria e Jashtme gjermane ka thënë pas vendimit rus për dëbime se nuk është befasuar dhe se ky vendim shton tensionet në marrëdhëniet bilaterale./REL