Rusia dëbon një diplomat bullgar

Prishtinë | 05 Dhj 2019 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Moska njoftoi se po dëbon një diplomat bullgar, pesë javë pasi Sofja i refuzoi vizën një atasheu rus.

Tensionet diplomatike mes dy vendeve po ndodhin pas një skandali të spiunimit.

Autoritetet ruse e njoftuan ambasadorin e Bullgarisë në Moskë, Atanas Krastin, se diplomati duhet të largohet nga Rusia brenda 24 orëve të ardhshme, duke përmendur “parimin e reciprocitetit”, tha ministria e Jashtme bullgare përmes një deklarate më 5 dhjetor.

Mediat ruse cituan burime, të cilat konfirmuan se qeveria e kishte shpallur një zyrtar të paemërtuar të ambasadës bullgare si “person i padëshiruar”.

Masa vjen pasi Bullgaria, më 30 tetor, tha se i kishte refuzuar vizën afatgjate atasheut të mbrojtjes në Ambasadën ruse në Sofje, një ditë pasi dëboi një diplomat tjetër rus nën dyshimin e spiunimit.

Më parë, prokurorët bullgarë akuzuan, Nikolai Malinovin – një ish-anëtar i parlamentit nga Partia Socialiste Bullgare (BSP), që drejton një organizatë jo-qeveritare pro-ruse – për pastrim parash dhe dorëzimin të sekreteve shtetërore në dy organizata ruse, të cilat kanë lidhje të ngushta me Kremlinin dhe shërbimet e fshehta të Rusisë.

Malinov ka mohuar akuzat.

Atij iu dha leja nga ana e autoriteteve bullgare për të udhëtuar në Moskë, në fillim të nëntorit, ku u dekorua me “Urdhërin e Miqësisë” nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Bullgaria, një aleate besnike e Moskës gjatë kohës së komunizmit, u bë anëtar i NATO-s më 2004 dhe u anëtarësua në Bashkimin Evropian më 2007.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme