Rusia njoftoi të shtunën se do ta kthejë ikonën ortodokse të vjetër me shekuj që iu dha ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov, gjatë një vizite në Bosnjë e Hercegovinë në takimin me përfaqësuesin e Republikës Serbe të Bosnjës e Hercegovinës, Milorad Dodik.
“Ikona do t’u kthehet dhuruesve për qartësim të mëtejmë rreth historisë së saj përmes Interpolit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, shkruan Free Europe.
Sipas një faqeje, dyshohet se ikona që iu bë dhuratë kryediplomatit rus është marrë nga qyteti ukrainas, Luhansk, i cili nga viti 2014 është kontrolluar kryesisht nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
Ambasada e Ukrainës në Sarajevë menjëherë i dërgoi letër Ministrisë së Jashtme të Bosnjës duke kërkuar mohim të qartë dhe të menjëhershëm publik nga udhëheqësit shtetërorë të raportimeve se shteti ka mbajtur në pronësi apo ka transferuar një artefakt të rëndësishëm kulturor, historik dhe fetar që ka origjinë në Ukrainë.
Ministria e Jashtme e Bosnjës kërkesën ia drejtoi Presidencës Boshnjake, e cila përbëhet nga tre përfaqësues, përfshirë edhe përfaqësuesin e serbëve.
Ndryshe, përfaqësuesit e kroatëve dhe boshnjakëve në Presidencën Boshnjake refuzuan të takohen me Lavrovin më 14 dhjetor pasi ai vendosi që fillimisht të takohej me Dodikun në zyrën e tij afër Sarajevës dhe për shkak të sugjerimit të tij se Marrëveshja e Daytonit nuk duhet të ndryshohet.