Ministria e Jashtme e Rusisë, i ka shprehur ngushëllime Iranit për vrasjen e Qassem Solemainit, duke konsideruar se sulmi ndaj tij, mund të rritë tensionet në Lindjen e Mesme.
Shërbimin e dhënë nga gjenerali më i lartë i Forcave Quds, ministria ruse e ka çmuar lart, ndërsa shprehën keqardhje për popullin irakian, lidhur me këtë humbje.
“Ne e konsiderojmë vrasjen e Soleimanit, si rezultat i një sulmi me raketa, si një hap aventuresk që do të çojë në një rritje të tensionit në të gjithë rajonin. Saleimani ka shërbyer me besnikëri, në kauzën e mbrojtjes së interesave kombëtare të Iranit”, thuhet mes tjerash në deklaratën e ministrisë ruse.
Udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Iranit, kanë thënë se do të hakmerren ndaj vrasjes së tij, derisa lideri suprem, Ayatollah Ali Khamenei tha se do të ketë “hakmarrje të vrazhdë”, ndaj kryerësve të kësaj vepre.
Soleimani ishte komandanti që shërbeu më së gjati në Forcat Quds të Gardës Revolucionare, që nga viti 2007, Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë si grup terrorist. Grupi vlerësohet të ketë 20,000 anëtarë.
Menjëherë pas sulmit ajror, Presidenti Donald Trump postoi në Twitter flamurin e SHBA-ve pa asnjë koment.
Pentagoni e akuzoi Soleimanin, se po planifikonte të kryente sulme ndaj diplomatëve dhe anëtarëve të Shteteve të Bashkuara në Irak dhe rajon, duke thënë se udhëheqësi i vrarë ishte përgjegjës për vdekjen e qindra amerikanëve dhe anëtarëve të shërbimit të koalicionit. /Telegrafi/