Para dy ditësh, presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka shpallur “non grata” dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë.
Lidhur me këtë ka reaguar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme së Rusisë, Marija Zaharova.
Ajo ka thënë se Kosova nuk po i ndal aktivitetet provokuese.
“Autoritetet e “vetëshpallura të Kosovës” dhe policia pas tyre nuk i ndalin aktivitetet e tyre provokuese në raport me diplomatët rusë në Republikën e Serbisë. Sapo bashkëpunëtorët e zyrës në Prishtinë të Ambasadës Ruse në Serbi u larguan nga Kosova, menjëherë u organizua një provokim i ri, përkatësisht, u hodhën informacione të rreme për të vënë në dyshim përkushtimin e Rusisë ndaj Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka deklaruara Zaharova, shkruan Tanjug, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.
Zëdhënësja e MPJ-së ruse po ashtu ka ftuar UNMIK-un e KFOR-in që t’u ofrojë siguri misionit rus në Kosovë.
“Rusia i bën thirrje Administratës së Përkohshme Civile të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe forcës paqeruajtëse ndërkombëtare nën udhëheqjen e NATO-s, gjegjësisht KFOR-it, që të sigurojnë kushte të sigurta për stafin e misionit rus në Prishtinë. I bëjmë thirrje UNMIK-ut dhe forcave ndërkombëtare në Kosovë, në kuadër të kompetencave të tyre në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të garantojnë sigurinë dhe kushtet e nevojshme për punën normale të stafit të zyrës ruse në Prishtinë. Presim garanci të duhura me shkrim nga administrata e OKB-së”, ka thënë Zaharova, shkruan Tanjug, transmeton.
Dy zyrtarët e Zyrës Ndërlidhës të Rusisë në Prishtinë, të shpallur “persona non grata” nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, janë parë dje duke e lëshuar Kosovën.
Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev janë dy personat që janë identifikuar nga llupa e institucioneve të Kosovës, më konkretisht nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës, se veprimtaria e tyre është cenuese për sigurinë kombëtare.