Ukraina tha se raketat ruse goditën infrastrukturën në portin ukrainas të Odesës më 23 korrik, një terminal i rëndësishëm i Detit të Zi, një ditë pasi u nënshkrua një marrëveshje historike për të rifilluar eksportet e grurit të bllokuara nga lufta.
“Armiku sulmoi portin tregtar detar të Odesës me raketa lundrimi Kalibr”, shkroi Komanda Operacionale Jug në aplikacionin Telegram.
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se “Rusia do të mbajë përgjegjësinë e plotë për thellimin e krizës globale të ushqimit” nëse marrëveshja dështon.
Për këtë çështje ende nuk ka komente nga autoritetet ruse.
Më 22 korrik, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje që lejon që miliona tonë drithë të nevojshëm – të bllokuara aktualisht në Ukrainë nga lufta – të eksportohen nëpër Detin e Zi dhe të ndihmojnë në zbutjen e krizës globale të ushqimit.
Marrëveshja e nënshkruar në Stamboll është arritur nën ndërmjetësim të Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, e ka përshkruar paktin si “marrëveshje për botën”.
Ukraina është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të grurit, misrit dhe vajit të lulediellit, por pushtimi i vendit nga Rusia dhe bllokada detare e porteve të saj kanë ndaluar dërgesat.
Sipas marrëveshjes, zyrtarët ukrainas do të udhëzonin anijet përmes kanaleve të sigurta nëpër ujërat e minuara në tre porte, duke përfshirë Odesën, ku do të ngarkoheshin me grurë.
Më shumë se 20 milionë tonë të grurit janë bllokuar në jug të Ukrainës, prej kur Rusia ka nisur sulmin e paprovokuar në Ukrainë më 24 shkurt.