Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov i ka thënë homologes austriake se Rusia po akuzohet padrejtësisht për spiunazh, pasi Vjena tha se po heton një ish-kolonel austriak, nën dyshimin se ka spiunuar për dekada me radhë për Moskën.
Sipas deklaratës së lëshuar nga Ministria e Jashtme ruse, Lavrov ka folur për “akuzat e pabaza” gjatë bisedës telefonike me ministren e Jashtëm të Austrisë, Karin Kheissl.
Lavrov ka thënë se Vjena duhet të diskutojë për këto akuza në mënyrë private dhe direkte me Moskën dhe nuk është dashur që ato të bëhen publike.
Ky skandal i spiunazhit rrezikon të dëmtojë marrëdhëniet e Moskës me Vjenën. Moska është akuzuar edhe herë të tjerë për spiunazh në shtetet e BE-së dhe gjetkë.
Më 9 nëntor, kancelari austriak, Sebastian Kurz dhe ministri i Brendshëm, Mario Kunasek thanë se një kolonel austriak, që ishte pensionuar pesë vjetë më parë, dyshohet se ka punuar me inteligjencën ruse, që prej viteve ’90 e deri këtë vit.
“Spiunazhi është i papranueshëm dhe spiunazhi rus në Evropë gjithashtu është i papranueshëm”, kishte deklaruar Kurz.
Sipas Ministrisë së Jashtme ruse, ministrja austriake, Kheissl i ka thënë Lavrovit se ajo shpreson që kjo çështje të mos prish marrëdhëniet dypalëshe, transmeton REL.
Sipas raportimeve, Vjena dyshon se një zyrtar ushtarak, 70-vjeç, ka punuar me inteligjencën ruse për dekada me radhë dhe po e heton atë lidhur me dyshimet se ai mund të ketë ndarë me Moskën sekrete shtetërore.
Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme austriake i ka thënë gazetës Kurier se informacionet që i dyshuari ua ka dhënë rusëve “janë nga gjërat më të parëndësishme, deri tek informacionet më të ndjeshme”.
Megjithatë, disa media tjera kanë sugjeruar se koloneli i dyshuar, nuk ka qenë të pozitë të tillë që të mund të kishte qasje në informacione të klasifikuara.
Ndërkaq, gazeta Salzburger Nachrichten ka raportuar se i dyshuari ka kaluar informacione, që prej seminareve dhe kurseve të NATO-s që ai ka marrë pjesë, por edhe informacione të tjera ushtarake.