Rusia e ka regjistruar shifrën më të lartë ditore të viktimave të koronavirusit që nga fillimi i pandemisë, duke shënuar 828 të vdekur për 24 orë, sipas shifrave zyrtare.
Rastet e fundit e çojnë në 202.273 numrin e përgjithshëm të viktimave të Covid-it në Rusi, që është shifra më e lartë në Evropë. Megjithatë, ka dyshime që autoritetet ruse e kanë fshehur një numër të vdekjeve.
Organet shtetërore janë akuzuar për uljen e shifrave të pandemisë. Sipas një definicioni më të gjerë për vdekjet e lidhura me koronavirus, agjencia ruse e statistikave, Rosstat, në fund të gushtit raportoi për më shumë se 350.000 viktima.
Pavarësisht përhapjes së virusit, programi i vaksinimit në Rusi nuk është zhvilluar në masë të kënaqshme për shkak të skepticizmit të një pjese të popullsisë. Kremlini është detyruar që të tërhqiet nga zotimi për vaksinimin e 60 për qind të popullsisë deri në shtator, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Deri të premten, vetëm 28 për qind e popullsisë është vaksinuar plotësisht kundër Covid-19 në Rusi, sipas uebfaqes “Gogov”, e cila i përcjell të dhënat për Covid-19 nëpër rajonet ruse.
Sipas anketave të pavarura, shumica e rusëve nuk planifikojnë ta marrin vaksinën kundër koronavirusit.