Rusia: Komentet e Pence, pasqyrim i mendësisë së Luftës së Ftohtë

Prishtinë | 04 Gus 2017 | 08:27 | Nga

Rusia i ka dënuar ato që i ka quajtur, komente “destabilizuese” nga nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, pasi sipas saj, është pasqyruar mendësia e Luftës së Ftohtë të Uashingtonit.

Pence, ka thënë më 2 gusht në Malin e Zi, se “Rusia ka punuar në destabilizimin e rajonit, minimin e demokracisë dhe ndarjen nga njëri-tjetri dhe nga gjithë Evropa”, duke u bërë thirrje liderëve të Ballaknit “të jenë të pakompromis gjatë përballjes me agresionin rus”.

Ministria e Jashtme e Rusisë, ka thënë, se Pence ka prezantuar zgjedhje destruktive, të cilat “pa dyshim do të ndihmojnë në rritjen e tensioneve” në Ballkan.

“Shtetet e Bashkuara në vazhdimësi janë duke e përmendur teorinë e tyre se Evropa Juglindore nuk ka zgjidhje tjetër, përveç asaj të anëtarësimit në NATO”, ka shtuar ministria.

Sipas saj, “është për keqardhje që Uashingtoni është duke lëvizur më thellë drejt ideologjisë primitive të Luftës së Ftohtë, e cila është plotësisht e shkëputur nga realiteti”.

Kjo ministri i ka bërë thirrje SHBA-së, të ndalojë dezinformatat për Rusinë dhe politikën e saj të jashtme, pasi sipas saj e njëjëta është e bazuar në respekt për aleatët e saj dhe e gatshme të punojë me partnerët ndërkombëtarë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme