Derisa shumë qeveri në botë po luftojnë që të sigurojnë dozat e parë të vaksinës kundër COVID-19 për popullatën e tyre, Rusia ka shënuar rastin e parë të vaksinimit të kafshëve kundër virusit.
Vaksina është quajtur Carnivak-Cov, ka njoftuar mediumi publik TASS duke cituar Konstantin Sanvenkov, nënkryetar i Shërbimit Federal të Rusisë për Mbikëqyrjen Veterinare dhe Fitosanitare.
“Carnivak-Cov, është vaksina e parë në botë e këtij lloji e cila do të parandalojë koronavirusin tek kafshët”, ka thënë Savenkov të mërkurën, raporton CNN.
Vaksina pritet të prodhohet në mënyrë masive në fillim të prillit, bën të ditur TASS.
Provat klinike për vaksinën Carnivak-Cov kanë nisur në tetor të vitit të kaluar ndërkohë që pjesë e provave ishin qentë, macet, dhelprat dhe kafshë të tjera.
Sipas Savenkov, tek të gjitha kafshët e vaksinuara janë krijuar anti-trupa dhe se për këtë arsye Rusia ka ardhur në përfundim se vaksina është e sigurtë dhe krijon efekt të fortë imuniteti.