Shefi i agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë të enjten se Rusia “mbase” është duke e shkelur traktatin e ndalimit të testimeve bërthamore, duke ndërmarrë testime të profilit të ulët në një lokacion të largët ushtarak në Arktik.
Pretendimi i lejtënant gjeneralit Robert Ashlet ka nxitur skepticizëm në mesin e ekspertëve të armëve bërthamore, të cilët kanë bërë të ditur se deklarimet e tilla i ngjallin pretendimet e mëhershme të disa zyrtarëve amerikanë që në fakt nuk kanë pasur ndonjë substancë, ka raportuar e përditshmja britanike “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.
Në anën tjetër, testimet ruse të profilit të ulët nuk janë përmendur në raportin vjetor të Departamentit amerikan të Shtetit lidhur me respektimin e marrëveshjes për kontrollimin e armëve, i cili ishte publikuar gjatë muajit të shkuar. Përpos kësaj, trupi i mbikëqyrjes së testeve bërthamore, Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrjes së Traktatit Gjithëpërfshirës të Ndalesës së Testeve Bërthamore (CTBTO), ka njoftuar se sistemi ndërkombëtar i tiji për monitorim (IMS) ka operuar në mënyrë normale dhe nuk ka detektuar ndonjë gjë të pazakontë.
“CTBTO-ja ka besim të plotë në aftësitë e IMS-së për detektimin e shpërthimeve nga testet bërthamore, bazuar në dispozitat e traktatit të ndalesës së testeve bërthamore”, ka njoftuar organizata. “Regjimi i verifikimit i CTBT-së tanimë është funksional dhe efikas, me më shumë se 300 stacione monitoruese të vendosura kudo në botë dhe që dërgojnë të dhëna”.
Ashley ka thënë në një fjalim në Hudson se SHBA-ja pret që arsenali bërthamor i Rusisë të rritet “dukshëm” gjatë dekadës së fundit, sidomos në sferën e kokave bërthamore “jostrategjike”, me rreze të vogël dhe më të shkurtër ndikimi. Ai tha se duke u përpjekur që të dizajnojë koka të reja bërthamore, Rusia ka shkelur rregullat e CTBT-së, të cilat vendi i ka nënshkruar dhe ratifikuar.