Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë të shtunën se ka mundësi që Rusia ta ndryshojë qasjen e saj ndaj luftës në Ukrainë, duke i ashpërsuar sulmet.
Bazuar në një përditësim të inteligjencës britanike, kjo ministri ka thënë se gjasat janë që Rusia të përfshijë përdorimin pa kriter të fuqisë së zjarrit, gjë që do të rezultonte në rritje të viktimave dhe shkatërrim edhe më të madh të infrastrukturës së Ukrainës, raporton Sky News.
“Kjo ka të ngjarë të përfshijë përdorimin pa kriter të fuqisë së zjarrit, duke rezultuar në rritje të viktimave civile, shkatërrim të infrastrukturës ukrainase dhe intensifikimin e krizës humanitare”, ka bërë të ditur kjo ministria britanike e Mbrojtjes.
Sipas saj, Kremlini deri më tani ka dështuar t’i arrijë objektivat e tij në Ukrainë, derisa konflikti shkatërrues ka hyrë në javën e katërt.