Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Sean Murphy, thotë se nuk është i qëndrueshëm krahasimi që presidenti rus, Vladimir Putin, i bën aneksimit të rajoneve në Ukrainë me procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Të martën, më 22 shkurt, Putin bëri thirrje për njohjen ndërkombëtare të Gadishullit ukrainas të Krimesë si pjesë të Rusisë, duke e krahasuar atë me Kosovën.
Rusia e ka aneksuar jashtëligjshëm Krimenë në vitin 2014, pas një referendumi që, sipas komunitetit ndërkombëtar, ka qenë i kurdisur.
“E kam thënë shumë herë këtë, por dua ta theksoj sërish: në çfarë mënyre kjo shprehje e vullnetit popullor [në Krime] ishte më e keqe se ajo që ndodhi në Kosovë? Në asnjë mënyrë”, tha Putin.
Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008 – nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe i ka dhënë fund luftës gati dyvjeçare.
Mbi 10 mijë njerëz janë vrarë në luftë dhe mijëra të tjerë kanë mbetur të zhdukur.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) ka konstatuar në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.
Shtetësinë e Kosovës e kanë njohur deri më tash mbi 100 vende, përfshirë SHBA-në dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian.
Profesori Sean Murphy, i cili ka qenë njëri nga personat kryesorë të ekipit të Kosovës, që ka argumentuar ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë pranë GJND-së, thotë se situata e Kosovës nuk përkon me krahasimet që bën Putin, sepse krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë, sipas tij, janë të dokumentuara mirë.
“Situata që ka ndodhur në Kosovë, është krejtësisht ndryshe nga ajo që po ndodh tani në Ukrainën lindore. Së pari, faktet, mizoritë që ka kryer Qeveria serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës, kanë qenë të mirëdokumentuara nga shumë organizata ndërkombëtare, ndërsa akuzat e Rusisë për abuzim nga Qeveria ukrainase janë krejtësisht të pabazuara”, thotë Murphy, duke iu referuar pretendimeve të zyrtarëve rusë se në lindje të Ukrainës, forcat qeveritare po bëjnë krime kundër separatistëve pro-rusë.
Senatorja Ernst paralajmëron për rritjen e ndikimit rus në Ballkan
Profesori i shkencave politike në Universitetin e Oksfordit, Dimitar Bechev, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia është duke e përdorur Kosovën për të arsyetuar veprimet e saj që nga viti 2008, kur ka njohur pavarësinë e rajoneve separatiste të Gjeorgjisë – Osetisë Jugore dhe Abkazisë.
Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka njohur edhe pavarësinë e dy rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, dhe ka urdhëruar dërgimin e trupave ruse atje.
Pse Putin i njohu separatistët e mbështetur nga Rusia në Ukrainë?
Bechev thotë se rasti i Kosovës dhe ai i aneksimit të Krimesë janë të pakrahasueshëm.
“Jo, nuk krahasohen në të vërtetë. Rusia e pushtoi Krimenë dhe organizoi një referendum që çoi në shkëputje dhe përfundimisht aneksim… Nuk ka pavarësi të Krimesë si shtet më vete. Kosova nuk kishte autonomi brenda Serbisë, ndryshe nga Krimea në Ukrainë”, thotë Bechev.
Ai thotë se nuk beson se insistimi rus për të krahasuar situatën e Kosovës me aneksimin e Krimesë, mund të dëmtojë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
“Krahasimi” që bën Rusia prej vitesh
Rusia, një nga aleatet më të fuqishme të Serbisë në arenën ndërkombëtare, e kundërshton fuqishëm pavarësinë e Kosovës.
Pavarësisht vendimit të GJND-së, Rusia, në disa raste, e ka përdorur shpalljen e pavarësisë së Kosovës si “krahasim” me aneksimin e Krimesë.
Një gjë të tillë, presidenti rus, Putin, e ka bërë menjëherë pas aneksimit të gadishullit ukrainas, në vitin 2014.
“Autoritetet e Krimesë iu referuan precedentit të njohur të Kosovës – precedent që kolegët tanë perëndimorë e krijuan me duart e tyre në një situatë shumë të ngjashme, kur ranë dakord që ndarja e njëanshme e Kosovës nga Serbia – pikërisht ajo që po bën Krimea tani – ishte legjitime dhe nuk kërkonte asnjë leje nga autoritetet qendrore të vendit [Serbia]”, ka thënë Putin më 18 mars, 2014.
Atëbotë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se është e turpshme të bëhen krahasime midis Krimesë dhe Kosovës.
“Në Kosovë kemi pasur vite, gjatë të cilave komuniteti ndërkombëtar nuk ka pasur fuqi për të ndërhyrë, derisa [udhëheqësi serb asokohe] Sllobodan Millosheviq ka kryer spastrimin e tij etnik. NATO-ja, më pas, ka vendosur të veprojë e vetme, sepse Rusia vazhdimisht ka bllokuar çdo mandat të OKB-së për Serbinë”, ka thënë Merkel.
Në disa raste, edhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka kritikuar bashkësinë ndërkombëtare për, siç ka thënë, standarde të dyfishta në raport me situatën e Krimesë.
Në nëntor të vitit 2019, duke folur në Forumin e Paqes në Paris, Lavrov ka thënë se “vetëm kur diçka është në interes të Perëndimit, ai e konsideron të drejtën e njerëzve për vetëvendosje si të shenjtë”.
“Krahasojeni Kosovën dhe Krimenë: një referendum është mbajtur në Krime dhe në Kosovë nuk ka pasur referendum. Megjithatë, Kosova është njohur menjëherë si shtet i pavarur nga shumica e vendeve perëndimore”, ka thënë Lavrov.
Komuniteti ndërkombëtar e ka cilësuar aneksimin e Krimesë si cenim të sovranitetit të Ukrainës dhe ka sanksionuar Rusinë për këtë akt. Ngjashëm ka reaguar edhe pas njohjes së pavarësisë së Donjeckut dhe Luhanskut nga shteti rus.
A ekzistojnë raportet Kosovë – Rusi?
Rusia ka formalizuar praninë e saj diplomatike në Kosovë tre vjet para shpalljes së pavarësisë, në vitin 2005. Asokohe, për hapjen e Zyrës Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë ka qëndruar ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov.
Kosova, atëbotë, është administruar nga Administrata e Kombeve të Bashkuara dhe kryeadministrator ka qenë Soren Jessen-Petersen, i cili së bashku me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Bajram Kosumi, kanë marrë pjesë në ceremoninë e hapjes.
Pjesëmarrja e Kosumit në këtë aktivitet njihet si vizita e vetme e një zyrtari të Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse Ruse në Prishtinë.
Vitin e kaluar, institucionet e Kosovës kanë shpallur persona “non-grata” apo të padëshirueshëm dy diplomatë rusë që kanë punuar në këtë zyrë. Ata janë detyruar të largohen nga Kosova.
Rusia me fushatë agresive ndaj Kosovës
Putin në “fazën e Millosheviqit”
Sipas institucioneve të Kosovës, për ta ka pasur informacione se kanë “cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Kosovës”.
Veprimtaria e Zyrës Ndërlidhëse Ruse është e shfaqur fare pak në publik.
Ato që gjenden në internet për aktivitetet e saj, janë kryesisht fotografi të takimeve me zyrtarë të misioneve ndërkombëtare në Kosovë./rel