Ushtria ruse ka marrë nën kontroll dy zona të reja në jug të Armenisë, afër kufirit me Azerbajxhanin si “garanci shtesë e sigurisë”, raportuan agjencitë ruse të lajmeve, duke e cituar kryeministrin armen në detyrë, Nikol Pashinian.
Kjo lëvizje i jep Moskës ndikim më të madh në rajonin ku ka dërguar trupa shtesë vitin e kaluar për ta ruajtur paqen, sipas marrëveshjes së armëpushimit që i dha fund luftës gjashtëjavore, gjatë së cilës forcat azere shënuan fitore territoriale ndaj armenëve etnikë.
Rusia është aleate e Armenisë dhe ka një bazë ushtarake në këtë shtet. Moska ka dërguar 2.000 trupa paqeruajtëse në enklavën e Nagorno-Karabakut, sipas marrëveshjes që u nënshkrua nga palët në nëntor të vitit të kaluar.
“Dy bastione të bazës ushtarake ruse të 102-të u vendosën në rajonin Syunik. Kjo është një garanci shtesë e sigurisë jo vetëm për rajonin Syunik por për Armeninë”, citohet të ketë thënë kryeministri armen.
Syuniku është një rrip strategjik i Armenisë që ndodhet mes Azerbajxhanit, enklavës azere të Nakçivanit dhe Iranit. Ministri armen i Mbrojtjes kishte deklaruar në muajin shkurt se Armenia dëshiron që Rusia ta zgjerojë praninë e saj ushtarake dhe të vendosë trupa më afër Azerbajxhanit, shkruan Free Europe.