Kremlini tha të martën se asnjë sugjerim se Rusia në ndonjë farë mënyrë është e përfshirë në aterrimin e detyruar të një aeroplani në Bjellorusi për arrestimin e një gazetari nuk meriton as përgjigje dhe se këto fjalë janë të nxitura nga qëndrimet anti-ruse.
Bjellorusia të dielën dërgoi në qiell një aeroplan luftarak për ta përcjellë aeroplanin civil të kompanisë Ryanair, në të cilin ndodhej kritiku i presidentit autoritar bjellorus, Aleksander Lukashenko. Qeveritë perëndimore e cilësuan këtë veprim si piratëri shtetërore.
Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dominic Raab, tha të martën se ndonëse situata është e paqartë, është vështirë të besohet se Rusia nuk është e përfshirë, qoftë duke mos reaguar, në lidhje me incidentin ajror.
Sidoqoftë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, mohoi se Rusia ka qenë e përfshirë në këtë rast. Sipas tij, Moska akuzohet për gjithçka këto ditë dhe se kritikëve të saj u është verbuar analiza nga urrejtja për Rusinë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Peskov megjithatë u përkujdes të thoshte se Moska shpreson që qytetarja ruse, Sofia Sapega, e cila u ndalua bashkë me të dashurin Protasevich, do të lirohet së shpejti, sepse ajo nuk ka shkelur ndonjë ligj.
Përpos çiftit, raportohet se autoritetet bjelloruse kanë ndaluar edhe tre persona tjerë. Një zyrtar lituan i tha agjencisë Reuters se dy prej tyre janë bjellorusë, ndërsa një tjetër grek.