Rusia “rinovon” bunkerin e armëve bërthamore

Prishtinë | 19 Qer 2018 | 08:34 | Nga

Fotografi satelitore, të publikuara së voni, sugjerojnë se Rusia ka rindërtuar një bunker të magazinimit të armëve në Kaliningrad – enklavë e saj në Detin Baltik – dhe se po konsideron vendosjen e armëve bërthamore atje.

Fotografitë e publikuara nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë janë burimi i fundit i shqetësimit për vëzhguesit ushtarakë perëndimorë, në lidhje me kapacitetet e Rusisë në rajon.

Hans Kristensen, ekspert bërthamor nga Federata e Shkencëtarëve Amerikanë, tha se fotografitë tregojnë se bunkeri i armëve, i vendosur rreth 50 kilometra nga kufiri me Poloninë, është në rinovim qysh në vitin 2016, shkruan REL.

“Me sa di unë, ai është vendi i vetëm i magazinimit të armëve bërthamore në rajonin e Kaliningradit”.

“Punimet e fundit padyshim se ngrenë pyetje se cili është statusi operacional i lokacionit. Imazhet satelitore nuk japin përgjigje përfundimtare për këto pyetje”, tha Kristensen.

Sipas tij, politikë e deklaruar e Rusisë është se të ashtuquajturat sisteme të armëve jostrategjike, si armët e vogla dhe me rreze të shkurtër veprimi, ruhen në një strukturë brenda kufijve kryesorë të Rusisë. Rinovimi i lokacionit në Kaliningrad, në Kulikovo, do të thotë se ai mund të furnizohet me raketa apo armë të tjera shpërthyese në rast krize.

Kristensen tha se nuk është e qartë nëse ka koka bërthamore në këtë lokacion ose nëse Rusia planifikon të vendosë të tilla atje – gjë që do t’i rriste tensionet me NATO-n.

Lokacioni i Kaliningradit e bën atë veçanërisht problematik për planifikuesit ushtarakë të NATO-s. Edhe armët me rreze të shkurtër veprimi, të vendosura të këtë lokacion, do t’i vinin në rrezik disa qytete anëtare të NATO-s, si Varshava dhe Berlini.

Në fund të janarit, komandanti ushtarak në rajonin e Kaliningradit, Anatoly Gorodetsky, ka thënë se inxhinierët kanë përfunduar ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme për të strehuar sistemin e avancuar raketor Iskander-M.

Disa ditë më vonë, Vladimir Shamanov, një ish-komandant ushtarak, i cili tani kryeson Komitetin e Mbrojtjes në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Rusisë, i bëri jehonë kësaj vërejtjeje dhe tha se sistemet Iskander-M kanë qenë vërtet të dislokuara. Ministri i mbrojtjes i Lituanisë gjithashtu e konfirmoi vendosjen.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s kanë thënë se vendndodhja e këtyre sistemeve të raketave është destabilizuese.

Shtetet e Bashkuara thonë se për shkak të gamës së tyre, armët Iskander përbëjnë shkelje të Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Ndërmjetme, i nënshkruar në vitin 1987.

Ndryshe nga NATO, ushtria ruse, sidomos flota e saj, ka mbajtur shumë prej sistemeve të saj të armatimit taktik, me kapacitet bërthamor.

Derisa tensionet e saj me Perëndimin janë rritur, për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në luftërat në Ukrainë dhe në Siri, presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpalosur një brez të ri të armëve bërthamore, duke thënë se ato tejkalojnë secilën mbrojtje perëndimore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme