Zyrtarët rusë thanë se Shtetet e Bashkuara janë në një “rrugë të rrezikshme” dhe se “nxisin me dashje tensione në marrëdhëniet midis fuqive bërthamore”.
Komentet vijnë pasi SHBA akuzoi të enjten inteligjencën ushtarake ruse për fushatë globale të piraterimit kundër institucioneve perëndimore.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, u bëri thirrje aleatëve amerikanë: Britanisë, Australisë, Kanadasë dhe Holandës – që i janë bashkuar SHBA-së në akuzat e tilla – që t’i rishqyrtojnë pozicionimet e tyre.
Ryabkov tha se akuzat janë pretekst për vendosjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë.
Autoritetet amerikane akuzuan zyrtarë të inteligjencës ruse GRU për përfshirje në sulme kibernetike kundër agjencive globale të sportit, Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike e të tjera.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, tha se Rusia duhet të paguajë çmimin për “sjelljen e saj të pakujdesshme dhe të papërgjegjshme”.