Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov ka thënë sot se situata në Goutan Lindore është shumë alarmante dhe militantët atje janë duke përdorur civilët lokalë si pengje.
“Terroristët nuk po i dorëzojnë armët e tyre. Ata janë duke përdorur popullatën lokale si pengje dhe kjo është arsyeja kryesore e situatës tensionuese”, ka thënë Peskov.
Ai ka cituar një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes ruse të lëshuar të dielën, ku Moska ka pasur informacione për përdorimin e mundshëm të substancave kimike nga militantët në Goutan Lindore.
Për situatën në Goutan Lindore ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutterres. Ai u ka bërë thirrje palëve të përfshira në luftën në Siri, që të zbatojnë menjëherë marrëveshjen për armëpushim prej 30 ditësh.
Të shtunën, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka miratuar një rezolutë për armëpushim, me të cilën është rënë dakord që të lejohen dërgesat e ndihmave dhe evakuimet mjekësore.
Rezoluta ka pasuar një javë të bombardimeve intensive në Goutan Lindore, ku, sipas aktivistëve, kanë mbetur të vrarë mbi 500 njerëz.