Rutte: NATO duhet të “reagojë” ndaj shpenzimeve ushtarake të Rusisë

Prishtinë | 03 Dhj 2025 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Gjatë një konference për shtyp, pasi ministrat e jashtëm të bllokut u takuan në Bruksel për të diskutuar për Ukrainën,  Mark Rutte tha se aleatët e NATO-s mbeten “plotësisht të përkushtuar” ndaj vlerësimit se Rusia është kërcënimi më i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë për sigurinë e tyre.

Rutte theksoi se nuk ka “asnjë arsye për të debatuar rezultatin e konceptit strategjik”.

I pyetur për akuzat se Moska po përpiqet të minojë sanksionet e SHBA-së dhe për raportimet se Kremlini i ka thënë “jo” propozimeve të fundit amerikane për paqe, Rutte u përgjigj se vetëm një njeri “është në gjendje të thyejë bllokimin” në luftën në Ukrainë: Donald Trump.

Sipas tij, presidenti amerikan është angazhuar për arritjen e një marrëveshjeje paqeje “që nga shkurti”, por procesi do të jetë “hap pas hapi”, dhe ai vetë nuk dëshiron “ta bëjë më të vështirë arritjen e marrëveshjes duke komentuar çdo hap ndërmjetës”.

Duke folur për programin PURL – iniciativën e SHBA-së dhe NATO-s për furnizimin e Ukrainës me armë – Rutte tha se vetëm “një grusht kombesh” nuk janë angazhuar ende, ndërsa “dy të tretat” e aleatëve tashmë kanë dhënë mbështetje, shkruan Guardian.

Ai theksoi se ndarja e barrës është përmirësuar dhe se aleanca ka siguruar një “rrjedhë të qëndrueshme armësh” për Kievin, duke i dërguar një sinjal Rusisë se “ne nuk do të largohemi”.

Ai u pyet edhe për rritjen e masave ushtarake në Evropë – përfshirë rekrutimin, zgjatjen e shërbimit dhe mobilizimin e grave.

Shefi i NATO-së  tha se ky reagim është i domosdoshëm, pasi Rusia po shpenzon “40% të buxhetit të saj shtetëror për mbrojtje”.

Ai nënvizoi rëndësinë e objektivit të NATO-s për 5% investim në mbrojtje dhe të rritjes së kapaciteteve të industrisë së armëve për të përballuar kërkesën.

Të ngjashme