Ruzhdi Kurtishaj: Jemi 5 milionë shqiptarë dhe bashkë me Diasporën, mund të bëhemi një treg i fuqishëm në Ballkan

Prishtinë | 09 Nën 2023 | 18:47 | Nga Ekonomia Online

I lindur në Greikoc të Suharekës, i pranishëm prej më shumë se dy dekadash në skenën e shoqërisë së Kosovës, Ruzhdi Kurtishaj ka dhënë kontribut shumë të madh në ndërtimin dhe më pas në avancimin e shumë institucioneve të rëndësishme në vend dhe është sot një prej emrave më të rëndësishëm në biznesin e turizmit. Nga viti 2018 e deri më sot ai mban pozitën e Kryesuesit të Kuvendit dhe njëherit atë të kryetarit të Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve.Mund të thuhet plotësisht se Kurtishaj ka qenë i vetëm në misionin e tij për shpëtimin e turizmit shqipfolës gjatë kohës së Pandemisë.

Gjithashtu ai ka qenë edhe zë i vetëm për rreth dy dekada për Intensifikimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë, e ku për kontributin e dhënë në këtë drejtim ai është shpërblyer me mirënjohje të shumta nga ministra dhe kryetarë disa bashkive të Republikës së Shqipërisë Anëtar i hershëm dhe kryetar i Odës Ekonomike, duke ushtruar prej vitit 2006 e deri tash funksione të ndryshme ai ka qenë gjithmonë në mbrojtje interesave të bizneseve me problemet që ata kanë hasur gjatë të gjithë kohës.

Me një përvojë të gjatë institucionale, Kurtishaj ka një përgatitje superiore, që gjatë dy dekadave të fundit e ka pasuruar me trajnime të shumta nga të cilat tashmë ai ka krijuar një profil prej një ekonomisti dhe menaxheri shembullor.. duke e kthyer kompaninë e tij Sharr Travel në liderin e padiskutueshëm të tregut turistik, edhe pse kjo fjalë përdoret tashmë rëndom për këto, duke e zbehur paska peshën e saj.

Travel i mori këtë intervistë Z. Kurtishaj, për të kuptuar pak më mirë e pak më shumë mbi veprimtarinë më shumë se njëzetvjeçare të Sharr Travel në Shqipëri, si një aktor shumë i rëndësishëm i turizmit, i cili nuk është thjesht “një transportues” i turistëve në sezon veror por një përcaktues i vërtetë i trendit për turizmëm gjithëvjetor në Shqipëri.

Ju jeni një prej personazheve publikë më të angazhuar e më të përfolur për qasjen tuaj drejt bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë dhe jo vetëm në turizëm, pavarësisht kundërshtive ose opinioneve të ndryshme. Pse e keni këtë qasje?

Me sa unë po kuptoj nga pyetja juaj, ju po më thoni pse e dua Shqipërinë, kështu? E dua Shqipërinë sepse jam shqiptar, sepse jam rritur me frymën e dashurisë për Shqipërinë jo si shtet shqiptar përtej kufirit por si një komb, edhe pse kemi qenë të ndarë. Prindërit tanë e kanë vuajtur ndarjen dhe shprehjen e atdhedashurisë e kanë paguar shtrenjtë. Kur unë isha fëmijë babai im është arrestuar nga forcat serbe, sepse gjatë një bastisjeje iu gjet në shtëpi një fotografi e Enver Hoxhës dhe kjo ishte pikënisja ime e formësimit të asaj që sot i themi ndërgjegje patriotike.

Qysh kur nisa të mendoj për biznes, kam pasur si qëllim afrimin sa më të madh me Shqipërinë dhe kontributi im në fushën e turizmit të ishte qasja ime drejt një bashkimi, që i kalon kufijtë e politikës. Unë kam bërë vazhdimisht atë që më s`miri di të bëj në fushën e turizmit, të bashkoj shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës. Jemi 5 milion shqiptarë dhe po t`i bashkojmë edhe milionat e shqiptarëve të Diasporës, mund të bëhemi një treg i fuqishëm dhe mjaft interesant, që krijon të ardhura për familjet tona dhe forcon ekonominë e secilit prej nesh, duke fuqizuar njëkohësisht edhe ekonominë e vendeve tona. Të gjithë e dimë se në Shqipëri, më shumë se gjysmën e fluksit turistik e përbëjnë shqiptarët e Kosovës dhe Diasporës.

Sa vjet u bënë që ushtroni aktivitetin tuaj turistik në Shqipëri?

Prej vitit 2002, unë e rihapa kompaninë pas dëmtimit të agjencisë Sharr Travel edhe si agjenci edhe si pronë, prej Luftës në Kosovë dhe nisa veprimtarinë në drejtim të Shqipërisë. Dhe që atëherë tregu ynë i vetëm është drejt Shqipërisë prej më shumë se dy dekadash dhe kjo na bën edhe më tepër krenarë. Sot mund të them se kemi qasje në të gjitha strukturat turistike shqiptare, në çdo qytet të Shqipërisë dhe dërgojmë grupet tona në të gjitha fundjavat e vitit, përpos sezonit veror.

Si ka ndryshuar oferta turistike e Shqipërisë në vite? Për mirë? Për keq? Njësoj?

Oferta turistike e Shqipërisë natyrisht që ka ndryshuar shumë. Që të kuptohet se sa shumë ka ndryshuar , mjafton t`ju them një fakt të thjeshtë; në vitin 2002 kur unë udhëtoja nga Prishtina për në Sarandë, më janë dashur 29 orë, ndërsa sot mund të shkoj për 5 orë. Natyrisht që ndryshimi i Shqipërisë nuk ka ndodhur vetëm në infrastrukturën rrugore por edhe në atë turistike, madje edhe në infrastrukturën ekonomike, sepse sot Shqipëria nuk është thjesht pjesë e ofertës së rajonit por e agjencive që operojnë në të gjithë tregun botëror.

Sot pa dyshim strukturat turistike, hotelet dhe resortet shqiptare janë shumë më të mira se dikur, ato që ndërtohen vit pas viti janë më të mira edhe se simotrat e tyre në rajon, shërbimi vjen çdo vit duke u përmirësuar dhe investimet e reja janë gjithnjë me qasje më pozitive se të kaluarat. Edhe qytetet shqiptare, vija e plazheve apo vendet që quhen destinacione turistike janë më të bukura e më të mirëmbajtura se dikur, qasja nëpër site e muze është më e madhe dhe më e organizuar.

Me një fjalë ndryshimi është i madh dhe ka ardhur gradualisht në vite por mendoj se ndryshimi i vërtetë i madh ka ndodhur gjatë kohës së ushtrimit të detyrës si ministër i turizmit i Z. Blendi Klosi, të cilin unë preferoj ta quaj ministri I kombit, për qasjen tejet konstruktive dhe proturistike që ai ka patur në drejtim të marrëdhënieve mes nesh, sidomos gjatë kohës së Pandemisë. Vërtet thuhet se Kosova e shpëtoi Shqipërinë por kjo ndodhi për një sërë lehtësirash të mëdha të asaj marrëdhënieje në kohë aq të vështirë ku biznesi mbijetoi dhe roli i ministrit të kombit Z, Klosi ka qenë vendimtar. Pra po, Shqipëria ka ndryshuar shumë e po ndryshon përditë, jam i sigurt se ajo do shndërrohet shumë shpejt në top destinacion jo vetëm për shqiptarët po edhe për të huajt, sidomos pas përmirësismit të infrastrukturës por edhe për shkak të ofertave të jashtëzakonshme dhe çmimeve të lira.

Flota juaj “Sharr Travel” është aktualisht më e madhja në Kosovë dhe kjo duket qartë çdo fundjavë kur autobusët shumëngjyrësh mbushin rrugët dhe hotelet e Shqipërisë. Sa është konkretisht kapaciteti i saj?

Sigurisht që Sharr Travel është tashmë në çdo cep të Shqipërisë dhe jo vetëm në bregdet, është i pranishëm gjatë të gjithë vitit dhe jo vetëm në verë dhe me punën tonë të palodhur ne jemi shpërblyer me titullin e lartë “Ambasador i Kosovës në Shqipëri”, falë përkushtimit për ta zgjatur sezonën turistike jashtë pikut të dikurshëm. Jo më larg se vitet 2012-2013-2014 sezona turistike në Sarandë nuk shkonte më shumë se një muaj e gjysmë, sot kemi grupe që shijojnë Sarandën dhe Ksamilin nga pranvera e hershme deri në vjeshtën e vonë.

Nëse dikur Kosova vizitonte vetëm Durrësin, gjeografia u shtri në të gjithë territorin, me oferta shumë të mira dhe sot çdo qytetar i Kosovës mund të vizitojë çdo qytet të Shqipërisë, falë ofertave tona të shumë të mira. Realisht Saranda dhe Ksamili janë perla, mbretëresha të turizmit siç pelqejmë t`i thona na dhe lakmohen prej turistëve nga e gjithë bota.

Si është bashkëpunimi juaj me operatorët dhe mikpritësit e Shqipërisë? Çfarë do të donit të ndryshonit në këtë raport?

Bashkëpunimi është i shkëlqyer jo vetëm me operatorët por me të gjithë aktorët e tregut të Shqipërisë në nivel lokal, qendror, institucional dhe menaxherial, sa i përket drejtuesve dhe të strukturave dhe investitorëve. Ne kemi raporte të shkëlqyera me shumë kryetarë bashkish të qyteteve turistike, me të cilët organizojmë aktivitete të përbashkëta ku nxjerrim në pah problematikat dhe shumë prej tyre marrin edhe zgjidhje. Mund të them se raportet tona janë konstruktive, sepse edhe interesi ynë është i përbashkët. Shumë bashki e struktura turistike i kanë promovuar qytetet e tyre, plazhet e tyre, bizneset e tyre, si destinacione turistike të denja dhe kanë pasur mbështetjen tonë të plotë e ne gjithashtu kemi patur mbështetjen e tyre.

Ju dhe agjenci të tjera kolege në Kosovë, jeni investuar fort që turistët nga Kosova të vijnë në Shqipëri jo vetëm në verë por gjatë të gjithë vitit dhe në fakt numri i tyre përbën më shumë se gjysmën e fluksit vjetor. Por nuk ndodh e njëjta gjë me agjencitë shqiptare në raport me Kosovën. A keni menduar ndonjëherë të ofroni edhe ture anasjelltas, pra flota juaj të shpërngulet në Shqipëri dhe të ofrojë ture në Kosovë, për të balancuar raportin jo te drejtë të numrit të turistëve?

Në fakt u bë shumë kohë që po mendojmë të hapim një zyrë të Sharr Travel edhe në Tiranë, për një shtrirje më të plotë të aktivitetit tonë sepse edhe ne e ndjejmë këtë që thoni ju, pra faktin që Kosova nuk është zgjedhje e parë për Shqipërinë, siç është Shqipëria zgjedhje e parë për Kosovën. Kjo nuk është edhe aq e thjeshtë sepse ne duhet ta rrisim flotën tonë, për të ndërtuar itinerare të anasjellta, do të thotë, nga Shqipëria në Kosovë.

Megjithatë, shumë shpejt besoj se do ta kemi vënë në jetë edhe këtë projekt tonin, në përpjekje për të balancuar pak raportin e zhdrejtë dhe për të bërë që edhe Kosova të jetë po aq e vizituar sa Shqipëria gjatë të gjithë vitit. Ne e dimë që nuk kemi det dhe vështirë të barazojmë këtë balancë por në turizmin dimëror kemi shumë avantazhe, edhe shqiptarët na vizitojnë në të gjitha pikat tona turistike dimërore, në bjeshkët tona dhe në resortet e skive.

Por Kosova nuk ka vetëm ski dhe dëborë, ajo ka mjaft pika të bukura natyrore, historike, trashëgimi kulturore dhe nga ana tjetër ne jemi një komb, kemi një histori, Nuk ka pse të na vijë turp të përdorim termin turizëm patriotik. Shumë kombe e kanë orientuar ekonominë e tyre drejt qasjes patriotike, ofertën turistike e ndërtojnë rreth temës së patriotizmit, s`ka pse të mos e bëjmë ne që jemi një komb i vogël. Le t`i vizitojmë pra Shqipërinë e Kosovën për arsye patriotike, nëse mund t`i fuqizojmë nga ana ekonomike

Të ngjashme