Sektori bankar po del të jetë sektori që pothuajse nuk e ndjeu fare krizën në kohën e pandemisë. Ndonëse kishte masa të Qeverisë së Kosovës edhe ndaj këtij sektori, fitimet e bankave nuk dallojnë nga ato të një viti më herët.
Së bashku bankat komerciale në Kosovë në periudhën janar-qershor 2020, realizuan një fitim të pastër rreth 40 milionë euro.
Buletini Ekonomik ka analizuar raportet financiare te të gjitha bankave.
Banka me më së shumti fitime në kohën e pandemisë është banka NLB. Në total fitimi i pastër i NLB-së për periudhën Janar-Qershor ishte 8 milionë e 276 mijë euro. Përkundër masave të Qeverisë së Kosovës për shtyrje të kësteve të kredive, kjo bankë realizoi 16 milionë euro të hyra nga interesat dhe 3 milionë e 647 mijë euro të hyra nga tarifat e shërbimeve.
Në bazë të pasqyrave financiare, befasi këtë vit është Banka Kombëtare Tregtare (BKT). Kjo bankë sipas pasqyrave financiare realizoi një fitim të pastër prej 7 milionë e 783 mijë euro. Nga interesat, BKT pati të hyra 9 milionë e 509 mijë euro, kurse nga tarifat e shërbimeve 1 milion e 905 mijë euro. Në raportet financiare nuk tregohen arsyet se pse BKT pati një rritje kaq të madhe këtë vit, duke qenë se viteve të kaluara ka qenë e ranguar më poshtë në listë.
E treta për nga fitimi vjen banka ProCredit. Fitimi neto për ProCredit për periudhën Janar-Qershor ishte 6 milionë e 946 mijë euro. ProCredit realizoi 12 milionë e 820 mijë euro të hyra nga kamatat. Fitimet ishin të majme edhe nga tarifat për shërbime. Nga kjo kategori neto të hyrat ishin 3 milionë e 681 mijë euro.
Banka Raiffeisen renditet e katërta me një fitim të pastër prej 6 milionë e 601 mijë euro. Të hyrat nga interesi për Raiffeisen janë 22 milionë e 361 mijë euro, kurse të hyrat nga tarifat për shërbime 4 milionë e 106 mijë euro.
Banka Teb për ketë periudhë kishte një fitim të pastër prej 5 milionë e 669 mijë euro, mirëpo në raportet e saj nuk detajizohen të hyrat nga interesat dhe tarifat e shërbimeve.
Banka BPB në kohën e pandemisë realizoi fitim të pastër 2 milionë e 161 mijë euro. Të hyrat nga interesat ishin 6 milionë e 471 mijë euro dhe 1 milion euro nga tarifat e shërbimeve.
Banka Ekonomike kishte fitim prej 1 milion euro. Të hyrat nga iteresi 7.2 milionë euro, kurse ato nga tarifat e shërbimeve ishin 763 mijë euro. /Buletini Ekonomik/