Disa gra të shëndetshme zgjedhin të bëjnë lindje me prerje çezariane kur e kanë fëmijën e parë, zakonisht për të shmangur dhimbjet e lindjes ose ndërlikimet e mundshme që mund të ketë lindja natyrale.
Ka raste kur mjekët e sugjerojnë vetë lindjen me operacion, në mënyrë që foshnja të lindë pa probleme dhe më shpejt.
Sipas, Telegrafi.com lindjet me prerje çezariane jo gjithmonë bëhen për arsye shëndetësore. Ndonjëherë bëhen për shkak të frikës ose për të shmangur ndonjë shqetësim apo problem.
Gjithsesi, këto arsye nuk janë aq të forta sa për t’iu nënshtruar operacionit. Ndërkohë që lindjet me operacion po bëhen gjithnjë e më të zakonshme, ato po shoqërohen gjithnjë e më shumë me debate.
Pjesa më e madhe e grave mund të bëjnë deri në tri lindje me operacion. Megjithatë, çdo operacion është në përgjithësi më i ndërlikuar se i fundit. Rreziku i komplikacioneve kirurgjikale, si infeksioni apo humbja e madhe e gjakut, te disa gra rritet shumë pak nga një ndërhyrje te tjetra.
Nëse para operacionit të parë, dhimbjet e lindjes kanë qenë shumë të forta dhe kanë zgjatur për një kohë të gjatë, operacioni i radhës mund të jetë më pak i lodhshëm nga ana fizike, edhe pse procesi për të marrë veten, do të zgjasë njëlloj.
Rreziku i operacioneve të tjera rritet në mënyrë të ndjeshme për gratë, plagët e të cilave janë të konsiderueshme.
Disa gra janë shumë të interesuara për t’i bërë lindjet e ardhshme me operacion, shkruan class.al. Por pas lindjes së tretë në këtë mënyrë, është e rëndësishme t’i analizoni me kujdes rreziqet kirurgjikale përkundrejt dëshirës suaj për të pasur më shumë fëmijë.