Ikja e mjekëve dhe infermierëve nga Kosova është një nga problemet më shqetësuese. Oda e Mjekëve dhe Oda e Infermierëve kanë treguar se sa është numri i personave që janë larguar dhe arsyet kryesore.
Numri i mjekëve dhe infermierëve që kanë vendosur të marrin rrugën e mërgimit është i lartë. Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se gjatë këtij viti, 88 mjekë e kanë kompletuar dokumentacionin për t’u larguar nga Kosova.
Ai ka bërë të ditura edhe arsyet e largimit të tyre.
“Këtë vit janë 88 kolegë që kanë kompletuar dokumentacionin për largim nga Kosova. Disa prej tyre veçse janë larguar, disa janë në proces të nënshkrimit të kontratave dhe marrjes së vizave për punësim. Vitin e kaluar kanë qenë 211. Arsyeja kryesore është punësimi, pastaj kualiteti i specializimeve dhe ana financiare si e treta”, ka thënë Sejdiu.
Ndërkaq nga Oda e Infermierëve të Kosovës kanë njoftuar se gjatë 2023-s 9 infermierë kanë kërkuar vërtetime për të kaluarën etike dhe 70 kanë kërkuar licencë pa plastifikim.
“Oda e infermierëve, mamive dhe profesionistëve tjerë shëndetësorë sa i përket largimit të infermierëve nga Kosova i referohet kryesisht kërkesave të anëtareve për vërtetime për të kaluarën etike të cilat i përcjellin në shtetet ku synojnë të punojnë apo licencave të pa plastifikuara të cilat si të tilla kërkohen nga ambasadat e shteteve perëndimore. Në vitin 2023: Vërtetime për të kaluarën etike 09 dhe licenca pa plastifikim 70”, kanë thënë nga Oda.
Arsyet e largimit të infermierëve janë “pagat më të larta, cilësia më e mirë e jetës, siguria dhe kushtet më të mira të punës”.
“Arsyet e largimit janë të ndryshme. Kryesisht janë këto arsye të largimit të infermierëve nga Kosova: Arsyet financiare – paga shumë më të larta në vendet ku shpërngulen; Cilësia më e mirë e jetesës në vendin ku emigrojnë si dhe Siguria dhe kushtet më të mira të punës në vendet ku shpërngulen etj.”
Mirëpo, për të shtuar numrin e mjekëve në institucionet shëndetësore në Kosovë, kryeministri Kurti kishte bërë një thirrje për t’u kthyer përkohësisht në Kosovë.
“Ju inkurajoj që të ktheheni dhe të gjeni veten në Kosovë. Mërgimtarë e kemi edhe ministrin Dr. Latifi, ai është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Me këtë thirrje, Kryeministri Albin Kurti kishte tentuar t’i bindte mjekët nga diaspora që të kthehen të punojnë në Kosovë, përkohësisht, duke shtuar edhe disa lehtësime.
Kësaj thirrje, sipas MSH-së, i janë përgjigjur 15 profesionistë shëndetësorë.
“Thirrjes të Ministrisë së Shëndetësisë për profesionistët shëndetësorë që jetojnë në mërgatë, deri me tani i janë përgjigjur rreth 15 profesionist shëndetësor (mjekë dhe profesionistë të tjerë shëndetësor), aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit të kontaktimit të tyre, ndërsa procedurat tutje mbeten për tu zhvilluar”, kanë thënë nga MSh në një përgjigje në muajin shkurt.