Kryetari i bordit të Shoqatës së Kosovës për Teknologji Informative (STIKK), Ermal Sadiku, ka thënë për Ekonomia Online se ankesat kryesore të kompanive teknologjike mbesin mungesa e kapaciteteve njerëzore, brendi “jo i njohur dhe jo i mirë i Kosovës”, si dhe mungesa e investimeve strategjike në IT.
Sadiku ka thënë se megjithëse kjo industri ka pasur zhvillime të mëdha kohëve të fundit, duhet më shumë punë dhe më shumë investime. Sipas tij, digjitalizimi i institucioneve publike do të ishte një shtysë e mirë.
Tutje, ai ka theksuar se STIKK është shoqata kryesore dhe më e madhe për IT në Kosovë, me 85% të kompanive anëtare. Esenca e Shoqatës, ka thënë se është mbrojtja e anëtarëve dhe implementimi i strategjive të ndryshme për zhvillim të IT-së.
“STIKK është shoqata kryesore dhe më e madhe, me diku 85% të krejt tregut të ICT industrisë së Kosovës si anëtarë. Si esencë e STIKK-ut është me i mbrojtë anëtarët e vet, por sigurisht misioni ynë është ngritja e kapaciteteve IT të Kosovës, ngritja e kapaciteteve njerëzore, implementimi i strategjive të ndryshme për zhvillim të IT-së”.
“Ankesat (e kompanive) ndërrojnë me vite. Një kohë kanë qenë kapacitetet njerëzore, pastaj kapacitetet njerëzore janë ngritur, është ngritur niveli i edukimit, ka kompani që merret me trajnime. Megjithatë, ende mbetet një ndër problemet më të mëdha”.
“Problem tjetër shumë i madh që ankohen kompanitë, këto që punojnë me botën e jashtme, që shesin shërbime, është brendi i Kosovës. Duhet me e përmirësua, sepse nuk është se kemi ndonjë brend shumë të njohur ose të mirë për IT”.
“Një problem tjetër është se janë ndalur investimet strategjike në IT dhe kjo ka qenë brengë e shumë kompanive që me pasë investim në digjitalizim të proceseve në qeveri dhe institucione publike. Në përgjithësi, mjedisi në Kosovë për zhvillim të IT-së është i mirë, veçse duhet punë dhe investim”, ka thënë Sadiku për EO.
Ndërsa ka folur për trendet e fundit në Inteligjencën Artificiale, Sadiku ka thënë se është industri shumë e kushtueshme, prandaj vështirë të zhvillohet në Kosovë.
Megjithatë, ai ka thënë se ka mundësi shumë të mira për përdorimin e saj dhe zhvillimin e aplikacioneve më të sofistikuara e më të lira me ndihmën e AI.
“Si trende, gjithmonë tash po flasim për Inteligjencën Artificiale, është diçka që e gjithë bota është duke folur e investuar. Edhe në Kosovë është pak a shumë e njëjta temë, ndoshta jo në nivelin që ishte dashtë me qenë”.
“Është shumë industri e shtrenjtë, në shumë aspekte. Edhe në aspektin human, nuk ka boll njerëz që janë të mirë edhe që kanë njohuri për AI. Zhvillimi i tyre është shumë i shtrenjtë dhe merr kohë. Pastaj edhe investimet monetare janë shumë të mëdha. Megjithatë, ajo që mund të bëjmë ne është me e përdorë inteligjencën artificiale për me ndërtua aplikacione ma të sofistikuara, ma të shpejta, ma të mira për komunitet dhe për shtet e institucione”, ka thënë ai.