Armando Sadiku nuk di të ndalet, sulmuesi i Kombëtares Shqiptare shënoi sërish për Luganon në fitoren 4-2 ndaj Sion në javën e 27 të Superligës Zvicerane, ku protagonist i padiskutueshëm ishte dhe Ezgjan Alioski, i cili shënoi 3 gola.
Shqiptaro-maqedonasi, i cili e nisi në sulm bashkë me Sadikun, shënoi 2 herë nga pika e bardhe e 11 metërshit, ndërsa në rastin e golit të dytë u shërbye pikërisht nga Sadiku që shpërtheu në të djathtë për t’i dhënë një asist perfekt.
Gjithsesi Sion pas avantazhit 3-0 të skuadrës së Tramezzanit ishte duke rihapur lojën me shënimin e dy golave, dhe pikërisht kur ndeshja mund të merrte një drejtim të rrezikshëm, ishte sadiku ai që vulosi shifrat me një gol vërtet të bukur për nga estetika e finalizmit.
Stopim perfekt dhe goditje fluturimthi me të majtën për golin e 4-2 që çon Luganon në vendin e 5 të klasifikimit, me formacionin e Tramezzanit që tani mund të synojë Evropën falë një faze të dytë vërtet të mirë, ku ka qenë thelbësor kontributi i Sadikut që ka shënuar 6 gola në 8 ndeshje në të cilat është aktivizuar, rendimet fantastik ky për sulmuesin që synon që në verë të bëjë hopin e madh të karrierës në nivel klubesh.