Sadriu nis aktivitetet në SHBA, Kosova pjesë e samitit global për mirëqenien e fëmijëve

Prishtinë | 24 Mar 2026 | 20:14 | Nga Ekonomia Online

Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, ka nisur aktivitetet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të Samitit inaugurues të Koalicionit “Fostering the Future Together”, i cili po mbahet në Washington D.C.

Sipas njoftimit, pjesëmarrja e tij në këtë samit vjen me ftesë të Zonjës së Parë të SHBA-ve, Melania Trump:

“Me ftesë të Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Melania Trump, Zotëria i Parë i Republikës së Kosovës, z. Prindon Sadriu, nisi sot aktivitetet e tij në kuadër të Samitit inaugurues të Koalicionit ‘Fostering the Future Together’, i cili po mbahet në Washington D.C. Qëllimi kryesor i këtij samiti dyditor është mbrojtja e mirëqenies së fëmijëve nëpërmjet edukimit, inovacionit dhe teknologjisë”, thuhet në njoftim.

Në njoftim bëhet e ditur se aktivitetet e para janë zhvilluar në Departamentin Amerikan të Shtetit, ndërsa takimi kryesor pritet të mbahet në Shtëpinë e Bardhë:

“Takimet fillestare të samitit u zhvilluan në Departamentin Amerikan të Shtetit, ndërsa takimi i nivelit të lartë, ku do të marrin pjesë 45 Zonja dhe Zotërinj të Parë nga anembanë bota, do të mbahet nesër në Shtëpinë e Bardhë. Kosova është nderuar që të jetë ndër 45 shtetet e përzgjedhura nga Shtëpia e Bardhë për të marrë pjesë në këtë Samit”, bëhet e ditur në komunikatë.

Gjatë qëndrimit në SHBA, Sadriu ka zhvilluar takime me zyrtarë dhe përfaqësues të kompanive të mëdha teknologjike:

“Gjatë takimeve në Departamentin Amerikan të Shtetit, Zotëria i Parë Sadriu u takua me Zv. Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Christopher Landau, bashkëbisedoi me homologë nga shtete pjesëmarrëse, si dhe me përfaqësues të kompanive lider të teknologjisë që janë pjesë e këtij koalicioni global, përfshirë OpenAI, Microsoft, Google, Meta, xAI, Palantir, Adobe dhe Zoom Communications”, thuhet tutje.

Sipas njoftimit, në këto takime është diskutuar për mundësitë që këto kompani ofrojnë për Kosovën:

“Në bashkëbisedime me kompanitë globale të teknologjisë, u diskutua se si Kosova do të përfitojë nga shërbimet dhe platformat që ato ofrojnë për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë.”

Tutje, theksohet përkushtimi i institucioneve të Kosovës për zhvillimin digjital dhe mbrojtjen e fëmijëve:

“Në këto takime, ai prezantoi potencialin e Kosovës dhe përkushtimin e Presidentes Vjosa Osmani dhe të vendit tonë për të ndërtuar një të ardhme digjitale që fuqizon të rinjtë dhe mbron fëmijët në hapësirën online.”

Në fund, njoftimi thekson se Kosova është ndër vendet e para që i është bashkuar kësaj nisme globale:

“Me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, Kosova iu bashkua kësaj nisme ndër shtetet e para në botë, duke dëshmuar përkushtimin për të siguruar që fëmijët dhe të rinjtë të përfitojnë nga mundësitë që ofron epoka digjitale, duke vendosur gjithnjë në fokus mbrojtjen dhe mirëqenien e tyre”, thuhet më tej në komunikatë.

Të ngjashme