Leutrim Sahiti, Këshilltar politik i Ministri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Fatmir Matoshi, ka thënë se për momentin cilësia e ajrit në Prishtinë është shumë e dobët, raporton Ekonomia Online.
Ai përmes një shkrimi në rrjetin social facebook ka thënë se nivel të lartë të ndotjes ka edhe në komunat që nuk kanë termoelektrana dhe industri të tilla që rrisin ndotjen e ajrit, siç është rasti i Prizrenit.
Ai ka apeluar tek qytetarët që të reduktojnë përdorimin e thëngjillit për ngrohje si dhe të përdorin transportin publik në vend të veturave.
Apel i ka bërë edhe Korporatës Energjetike të Kosovës që të përmbushin kriteret e përcaktuara mbi ruajtjen e cilësisë së ajrit.
Postimi i plotë:
Për të pasur një informim të saktë dhe në kohë reale mbi cilësinë e ajrit, ju lutëm që t’i referoheni të dhënave që dalin nga stacionet e Ministrisë, të instaluara në 8 lokacione të ndryshme në vend, e të cilat janë më reprezentative sesa adresa tjera që mund të japin të dhëna të mangëta, vetëm për një lokacion të caktuar
Këto informata mund t’i merrni duke klikuar në linkun në vijim, duke shkarkuar aplikacionin për android dhe IOS, apo kur gjindeni në qender duke vizituar monitorët që i kemi vendosur në 4 lokacione në kryeqytet: Sheshi “Nënë Tereza”, tek MASHT, sheshi “Adem Jashari”, si dhe tek ish objekti “Rilindja”.
Marrë parasysh kushtet meteorologjike të pafavorshme, pozitën gjeografike të Prishtinës, TC “Kosova B”, përdorimin e thëngjillit dhe vajrave të përdorura për ngrohje si dhe ndotjen që vjen nga veturat e shumta, për momentin cilësia e ajrit është shumë e dobët.
Përveç ndotjes që kemi në Prishtinë me rrethinë, nivel të lartë të ndotjes kemi edhe në komunat që nuk kanë termoelektrana dhe industri të tilla që rrisin ndotjen e ajrit, siç është rasti i Prizrenit. Andaj kjo është edhe një dëshmi që determinues të ndotjes mbeten edhe përdorimi i thëngjillit si dhe veturat e shumta në trafik.
Në situata të tilla apelojmë tek qytetarët që të reduktojnë përdorimin e thëngjillit për ngrohje si dhe të përdorin transportin publik në vend të veturave.
Gjithashtu apelojmë tek Korporata Energjetike e Kosovës që të përmbushin kriteret e përcaktuara mbi ruajtjen e cilësisë së ajrit.