Saimir Tahiri është rikthyer në Tiranë pas vizitës disa ditore që ka bërë në Gjermani.
Ikja e Tahirit jashtë Shqipërisë, ngjalli dyshime të forta nëse ai ishte arratisur apo larguar për punë. Burimet thonë se Tahiri ka qenë në Gjermani për të zhvilluar një vizitë pranë babait të tij, që po kurohet në këtë vend.
Babai i Tahirit, Bashkim Tahiri mësohet se ka disa kohë që kurohet në Gjermani, për një sëmundje. Kjo ka qenë edhe arsyeja e largimit të Tahirit.
Ish-kryeministri Sali Berisha bëri dje thirrje për heqjen e mandatit të Saimir Tahirit, ndërsa prokuroria thotë se e ka cilësuar si të nevojshëm bllokimin e pasaportës së ish-ministrit të Brendshëm, nisur nga fakti që Kuvendi nuk i dha leje për arrestimin e tij.
Saimir Tahiri nuk ka komentuar asgjë që prej datës 30 tetor, kur hodhi një video në Facebook duke ironizuar opozitën dhe median.
Por duket se gojën, ish-ministrit ja ka mbyllur arrestimi në 1 nëntor i Orest Sotës, biznesmenit të ri i cili kishte në makinë 836 mijë euro dhe dy patenta për anije në emër të Tahirit, njëra prej të cilave ishte me foto me mjekër dhe tjetra pa mjekër.
Që prej arrestimit të të riut, Tahiri nuk ka thënë asnjë fjalë, as në Facebook apo media.