Ylli egjiptian, Mohamed Salah, ka thënë se e do ish-bashkëlojtarin e tij në Romë, Daniele de Rossin në Liverpool, pasi italiani i dha fund karrierës së tij të gjatë me Romën.
Mesfushori veteran i Romës i dha fund karrierë së tij të gjatë me klubin italian, pasi nuk arriti marrëveshje për ta rinovuar kontratën e tij. Këtë verë, ai mund t’i bashkohet cilitdo klub si transferim i lirë, transmeton Gazeta Express.
Mohamed Salahu dhe De Rossi kishin luajtur së bashku në Romë gjatë viteve 2015-2017 dhe sulmuesi i Liverpoolit insistoi se mesfushori legjendar i klubit italian do të ishte i mirëpritur në “Anfield”.
“Ai është një legjendë, por është edhe një shok i mrekullueshëm. Me të vërtetë nuk e di çfarë tjetër mund të them për të”, ka thënë Salahu për Sky Sports.
“E pashë ndeshjen kundër Parmës dhe përshëndetjen e tifozëve, ai është një legjendë e klubit dhe e futbollit italian. Ai bëri gjithçka për Romën, e sakrifikoi veten për skuadrën dhe do të më pëlqente ta falënderoja, t’i them se e dua dhe t’i uroj fat të mbarë”.
“Do të më pëlqente shumë nëse ai do të vinte këtu. Nuk e di nëse kjo gjë është e mundur, por do të më pëlqente të luaja me të në cilëndo skuadër. Ai është një lojtar i mrekullueshëm dhe një legjendë. Është i mirëpritur këtu”.
De Rossi u bë një ikonë në kryeqytetin italian, ku e ka kaluar të gjithë karrierën e tij si futbollist profesionist deri më tani. Gjatë kësaj periudhe 18-vjeçare, ai i ka regjistruar mbi 600 paraqitje me Romën.
Ai ka qenë pjesë e Romës që kur iu bashkua ekipit të të rinjve në vitin 2010. Vetëm Totti, nga i cili e mori shiritin e kapitenit, ka luajtur në më shumë ndeshje për klubin e Serisë A.