Salihu thotë se duhet të forcohet mekanizmi pedagogjik që të ndalet dhuna në shkolla

Prishtinë | 03 Maj 2019 | 18:04 | Nga Ekonomia Online

Labinot Salihu, këshilltar për Arsim në Komunën e Prishtinës, ka thënë se fenomeni i dhunës në përgjithësi ka filluar të bëhet pjesë e pranueshme e shoqërisë në vend.

Ai ka thënë se rastet e dhunës në shkolla duhet të parandalohen dhe jo të protestohet pasi të ndodhin.

Salihu në “Express Intervista” në KTV, i ka quajtur shqetësuese statistikat e rasteve të dhunës në shkollat e Komunës së Prishtinës dhe të Kosovës në përgjithësi.

“Mendoj që statistikat janë shqetësuese jo pse kanë ndodhur në shkollë por sepse rastet e dhunës janë bërë pjesë e pranueshme e shoqërisë në Kosovë. Çështja e sigurisë në shkollë nuk duhet të ndërlidhet me sigurinë policore, sepse shkolla është institucion edukativo-arsimor dhe nxënësit nuk duhet të shkojnë të rrihen e të lëndohen”, ka thënë ai.

Sipas tij, fëmijët po sillen siç po sillet shoqëria në përgjithësi.

Ai i ka parë shqetësuese rezultatet e një hulumtimi të bërë nga Komuna e Prishtinës, ku prindërit edhe arsimtarët e kanë parë ndëshkimin fizik si instrument përmes të cilit mund të menaxhohet mësimi.

“Fëmijët po sillen siç po sillet shoqëria në përgjithësi. Ne kemi bërë një hulumtim në shkolla vitin e kaluar ku një pjesë e prindërve kanë pranuar ndëshkimin fizik që të vihet në kontroll klasa. E më shqetësuese është kur mësimdhënësit pranojnë se ndëshkimi fizik mund të pranohet si instrument për të menaxhuar klasën. Kjo mbjell një situatë jo të mirë në shoqëri”, ka deklaruar Labinot Salihu, këshilltar për Arsim në Komunën e Prishtinës, raporton Koha.net.

Ai ka thënë se problemi i dhunës në shkolla zgjidhet me forcim të mekanizmave pedagogjikë.

Duke folur për mekanizmat e mbrojtjes dhe kontrollit brenda shkollave, Salihu ka thënë se në komunën e Prishtinës disa nga shkollat kanë kamera të sigurisë edhe roje.

“Mekanizmat e mbrojtjes fizike apo barrierave fizike brenda shkollës janë vetëm një segment i platformës së përgjithshme të Komunës së Prishtinës. Disa shkolla kanë kamera, kanë edhe roje të sigurisë. Ne ende nuk kemi roje të cilët janë trajnuar për sjelljet e nxënësve”, ka thënë ai.

Salihu ndër të tjera ka shtuar se Komuna në vazhdimësi po përmirëson infrastrukturën e shkollave profesionale në mënyrë që këto shkolla të jenë më atraktive për nxënësit.

“Ne po mundohemi t’i bëjmë më atraktive shkollat profesionale se sa gjimnazet. Shkollat profesionale janë të nevojshme në aspektin e ngritjes së cilësisë në arsim. Në një hulumtim që është bërë kemi parë që një pjesë e konsiderueshme e nxënësve planifikojnë të regjistrohen në gjimnaze”, ka shtuar ai.

Ai thotë se problematikë e dhunës në shkollat profesionale të Prishtinës mund të jetë edhe lokacioni i tyre pasi ato gjenden në periferi dhe janë shumë afër njëra-tjetrës.

“Një problematikë e veçantë e shkollave profesionale është edhe lokacioni sepse janë në periferi dhe janë të grumbulluara në një vend. Zakonisht nxënësit më të dobët janë të regjistruar në shkollat profesionale. Duhet një investim më i madh edhe në infrastrukturë që kushtet e shkollave profesionale të përmirësohen. Në infrastrukturë jemi duke trajnuar edhe mësimdhënësit që të jenë në trend me kohën”, ka përfunduar Labinot Salihu, këshilltar për Arsim në Komunën e Prishtinës.

Të ngjashme