Prishtinës do t’i shtohet edhe një sallë filmash. Do të jetë e shtata me radhë pas asaj të Kinemasë ABC në qendër të qytetit dhe gjashtë të tjerave të rrjetit “Cineplexx” në periferi. Hapësirës së ish-Shtëpisë së Armatës në Prishtinë me kapacitet prej 300 ulësesh planifikohet t’i kthehet funksionaliteti i dikurshëm si sallë filmash, por edhe si hapësirë për ngjarje kulturore.
Nisma e përmendur nga kryetari i Komunës së Prishtinës në fillim të muajit të kaluar pas një takimi me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, pritet të konkretizohet së shpejti. Kësisoj, karriget me ngjyrë të kaltër, në dyshemenë e rrafshët, përballë një skene të vogël, do të shërbejnë për adhurues të filmave artistikë e dokumentarëve, njashtu sikurse edhe për koncerte e ngjarje të tjera. Por përderisa zyrtarët komunalë e disa personalitete që kanë shikuar filma në të kaluarën në këtë hapësirë e përkrahin nismën për rifunksionalizim, ka prej kinematografëve që janë skeptikë rreth kushteve për shfaqje filmash.
Brenda muajit në këtë sallë pritet të jepet filmi i parë, pas marrëveshjes midis Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Administratës Publike që hapësira të shërbejë si shtëpi filmi e kulture.
Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, Yll Rugova, ka thënë se Komuna dhe Ministria e Administratës Publike janë pajtuar për detajet dhe kanë përfunduar marrëveshjen për shfrytëzim të hapësirës nga Komuna me qëllim të rifunksionalizimit si ambient kulturor për 10 vjet. Sipas Rugovës, brenda këtij muaji planifikohet të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjes