Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se si ministri janë të hapur për bashkëpunim, sa i përket procesit të Vettingut dhe atij të konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.
“Vettingu nënkupton sistem të drejtësisë të paanshëm e profesional; kurse Byroja do t’ia kthejë shtetit e shoqërisë pasuritë e përvetësuara padrejtësisht ndër vite”, ka shkruar Sallahu në një postim në Facebook.
“Të dy këto procese i patëm premtuar. Të dyjat do t’i realizojmë dhe për këtë jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë”.
Tutje Sallahu tha se opinionet e Komisionit të Venecias janë siguria, dëshmia e garancia e implementimit të tyre.
Sot Komisioni i Venecias i ka dhënë dritë të gjelbër procesit të Vettingut, duke thënë se një gjë e tillë është më se e nevojshme, por se me ndryshime kushtetuese, Komisioni ka rekomanduar të bëhet Vettingu vetëm për krerët e drejtësisë, ku përfshihen kryeprokurorët dhe kryetarët e gjykatave.