Zëvendëskryeministri i Italisë, Matteo Salvini, i kërkoi të hënën shtëpisë së operas “La Scala” në Milano, të refuzojë një ofertë nga Arabia Saudite, për të pompuar fonde në teatër.
Ministria e Kulturës Saudite ka ofruar një marrëveshje partneriteti pesëvjeçar me La Scala-n, me vlerë 15 milionë euro (17 milionë dollarë), transmeton TCH.
Propozimi ka nisur një grindje të furishme, mes grupeve të të drejtave të njeriut dhe disa politikanëve, duke argumentuar se një nga institucionet kulturore më prestigjioze të Italisë, duhet të shmangë paratë nga Arabia Saudite, një mbretëri myslimane, thellësisht konservatore, e akuzuar për abuzime të përsëritura të të drejtave.
Salvini u tha gazetarëve se ai nuk donte që partneriteti të shkonte përpara. “Unë do të preferoja që disa njerëz të mos jenë atje dhe që La Scala të jetë e lirë, e pavarur dhe autonome”, tha ai. “Nëse zviceranët duan të investojnë në La Scala, nuk do të kemi një problem”.
Është hera e dytë këtë vit që Salvini, i cili kryeson partinë e djathtë ekstreme, Lega Nord, ka sulmuar Arabinë Saudite.
Në janar ai dënoi si “të neveritshme”, kufizimet e vendosura për gratë që shpresonin të shihnin finalen e Superkupës italiane, e cila u zhvillua në fillim të vitit në Arabinë Saudite. Bordi i La Scala-s do të diskutojë propozimin saudit në një takim më 18 mars..