Një tjetër zhgënjim s’do të ishte çudi, por shpresat janë më të mëdha se kurrë më parë. Kosovarët presin që sot dhe nesër çështja e liberalizimit të vizave ta marrë mbështetjen vendimtare në Bruksel.
Në Bashkimin Europian, disa diplomatë kanë vërejtur një përpjekje që nga Samiti i BE-së, që do të zhvillohet sot dhe nesër të shprehet mbështetje e qartë politike për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Kjo do t’i hapte rrugë procedurës që do të inicohej nga grupet punuese të Këshillit, ku edhe do të merrej vendimi.
Vendet më skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën njihen Franca dhe Holanda. Në Amsterdam u tha se ka ka lëvizur diçka.
Deputetja holandeze dhe njëherit anëtarja e Këshillit Europian për Marrëdhënie të Jashtme, Kati Piri, ka thënë se disponimi i Holandës rreth integrimit europian të shteteve të Ballkanit Perëndimor ka ndryshuar.
“Pas vitesh veto holandeze për zgjerimin e BE-së, disponimi po ndryshon në parlament: të mbështesë kandidaturën në BE të Ukrainës dhe Moldavisë; të përkushtuar për kandidimin e Gjeorgjisë, pasi të plotësohen kushtet; të gatshëm të rishikojnë liberalizimin e vizave për Kosovën; mbështetja për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, shkroi Piri në Twitter.
Presidentja Vjosa Osmani udhëtoi të mërkurën për në Bruksel, me ftesë të presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel. Ajo do ta përfaqësojë Kosovën në takimin e krerëve të Bashkimit Europian me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Në njoftimin e Presidencës u bë e ditur se Osmani do të jetë proaktive që të kërkojë liberalizim të vizave te vendet anëtare të BE-së dhe hapjen e rrugës për integrim për të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Vizitën në kryeqendrën europiane, Osmani e nisi duke shkuar në Parlamentin Europian, ku Kosova vazhdimisht merr mbështetje për liberalizimin e vizave. U takua me presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola.
“Parlamenti Evropian ka shprehur qartë dhe në mënyrë të vazhdueshme vullnetin e popujve të BE-së për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, si dhe nevojën e përshpejtimit të perspektivës sonë evropiane. Në një diskutim të hapur dhe përmbajtësor me Presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola në Bruksel, diskutuam për nevojën që liderët e vendeve anëtare ta reflektojnë vullnetin e Parlamentit, si dhe të jepet sinjal i qartë se vendet demokratike, liridashëse dhe të përkushtuara ndaj vlerave evropiane e kanë vendin në BE”, shkroi më pas në Facebook.
Ku u shtuan shpresat?
Muajt e fundit, çështja e heqjes së regjimit të vizave u përmend nga liderë të vendeve anëtare të BE-së. Kjo madje u bë pjesë e programit të koalicionit qeveritar mes SPD-së dhe të Gjelbërve në Gjermani.
Në programin e përbashkët që kishte 177 faqe, për herë ta parë Ballkani Perëndimor zinte një vend të veçantë. Ndër rreshtat e tjerë thuhej se prioritet ishte dialogu Kosovë-Serbi dhe liberalizimi i vizave për Kosovën.
Kur kryeministri Albin Kurti shkoi në Gjermani më 4 maj me ftesë të kancelarit Olaf Scholz, ky i fundit tha në konferencën e përbashkët që Gjermania do të angazhohet me këmbëngulje brenda BE-së që Kosovës t’i hiqen vizat.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, tha së fundmi se ai do të jetë ambasadori i fundit gjerman që do të pyetet për liberalizimin e vizave.
Komisioni Europian që nga viti 2018 ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe ka rekomanduar heqjen e vizave. Këtë qëndrim e ka përsëritur edhe në pranverë të këtij viti.
Të njëjtën e ka bërë edhe Parlamenti Europian.