Samiti i BE-së vazhdon edhe sot, dialogu me Serbinë konkluzioni i vetëm për Kosovën që u përmend

Prishtinë | 24 Qer 2022 | 08:43 | Nga Ekonomia Online

Sot në Bruksel do të vazhdojë dita e dytë e Samitit BE-Ballkani Perëndimor.

Sipas agjendës, nga ora 9:00 pritet që pjesëmarrësit të arrijnë, derisa një orë më pa do të fillojë një sesion pune.

Më pas është e planifikuar një konferencë e përbashkët për shtyp nga Presidenti Michel, Presidentja Von der Leyen dhe Presidenti Macron.

Samiti mes liderëve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku nga Kosova mori pjesë Presidentja Vjosa Osmani, ka përfunduar dje pa asnjë rezultat konkret. Pritjet e kosovarëve për këtë samit ishin të mëdha, meqë shpresohej për liberalizim të vizave.

Gjatë ditës së djeshme, Barend Leyts, zëdhënës i Këshillit Evropian, ka publikuar konkulzionet e Këshillit Evropian për Ballkanin Perëndimor, pas samitit të liderëve të 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor.

Një prej konkluzioneve të këtij samiti ka qenë edhe urgjenca për progress në dialogun Kosovë-Serbi. Por, s’përmendet asnjë fjalë për liberalizimin e vizave, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Këshilli Evropian ripërsërit nevojën urgjente e të bërit progres në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale dhe regjionale, posaçërisht në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi përmes dialogut”, është njëra prej konkluzioneve.

Gjeni më poshtë të përkthyera të gjitha konkluzionet e Këshillit Evropian për Ballkanin Perëndimor:

– Bashkimi Evropian shpreh angazhimin e tij të plotë dhe të qartë në perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit;

– Bazuar në metodologjinë e rishikuar, Këshilli Evropian fton Komisionin, Përfaqësuesin e Lartë dhe Këshillin që ta avancojnë më tej integrimin gradual midis Bashkimit Evropian dhe rajonit, gjatë vetë procesit të zgjerimit, dhe kjo të arrihet në një mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar në merita;

– Këshilli Evropian rikujton rëndësinë e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe në veçanti ato që lidhen me pavarësinë, funksionimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. KE gjithashtu u bën thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave;

– Këshilli Evropian u informua për zhvillimet e fundit rreth negociatave mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Si i tillë, KE bën thirrje për një zgjidhje të shpejtë midis çështjeve të fundit të mbetura, në mënyrë që negociatat e pranimit të mund të fillojnë pa vonesë;

– Këshilli Evropian ripërsërit nevojën urgjente të të bërit progres në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve bilaterale dhe regjionale, posaçërisht në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi përmes dialogut;

– Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen politike të arritur më 12 qershor 2022 nga liderët e Bosnjë-Hercegovinës në Bruksel, e cila është e nevojshme për stabilitetin dhe funksionimin e plotë të vendit dhe për t’iu përgjigjur aspiratave të qytetarëve. KE u bën thirrje të gjithë liderëve politikë në Bosnje dhe Hercegovinë që t’i zbatojnë me shpejtësi pikat e përcaktuara në marrëveshje dhe të finalizojnë urgjentisht reformën kushtetuese dhe zgjedhore, e cila do t’i lejojë vendit të përparojë me vendosmëri në rrugën e tij drejt Evropës, në përputhje me kërkesat e Komisionit;

– Këshilli Evropian është i gatshëm t’i japë statusin e vendit kandidat Bosnje-Hercegovinës dhe për këtë qëllim fton Komisionin t’i raportojë pa vonesë Këshillit të BE-së mbi zbatimin e 14 prioriteteve kryesore të parapërcaktuara, në mënyrë që Këshilli Evropian të mund të vendosë në lidhje me çështjen e statusit.

Të ngjashme