Sulmuesi anësor i Manchester Unitedit, Alexis Sanchez, e ka pranuar se ai po shpresonte që në skuadrën e tij të transferoheshin lojtarë më të mirë.
Manchester Unitedi gjatë këtij afati kalimtar ka transferuar mesfushorin brazilian Fred, mbrojtësin Diego Dalot dhe portierin Lee Grant. Ata kanë qenë në kërkim të një qendërmbrojtësi si Toby Alderweireld, Harry Maguire dhe Yerry Mina, por nuk kanë arritur ta kompletojnë asnjërin nga këto transfere, përcjell Gazeta Express.
Kur “Djajtë e kuq” e transferuan kilianin në janar, tifozët shpresuan se ky do të ishte fillimi i një epoke të re për klubin anglez. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur pasi që Manchester Unitedi nuk ka arritur të transferojë asnjë lojtar të famshëm botëror.
“Do të doja që ata të kishin transferuar më shumë lojtar të nivelit më të mirë botëror. Por, ky është vendimi i klubit”, ka thënë Sanchez për ESPN.
Afati kalimtar në Angli mbyllet sot, ndërsa për klubet në ligat e tjera afati mbyllet me datën 31 gusht.