Ish-futbollisti dhe tani analisti John Barnes ka sugjeruar se Jadon Sancho duhet të largohet nga futbolli nëse atij po i humb dashuria për këtë sport pas thirrjeve të fundit raciste drejt disa futbollistëve të mëdhenj.
Anësori anglez 19-vjeçar tha së fundi se dashuria e tij për futbollin do të rrezikohet nëse sulmet raciste mbi futbollistët vazhdojnë edhe më tutje, pas thirrjeve të fundit drejt Paul Pogbas, Marcus Rashfordit dhe Romelu Lukaku gjatë javëve të fundit.
Megjithatë, Barnes e kritikoi ashpër Sanchon për komentet e tij, duke insistuar se ylli i Borussia Dortmundit duhet të dalë në botën reale dhe ta shohë se çfarë është diskriminimi i vërtetë.
“Jadoni tha se atij do t’i humbë dashuria për futbollin, le të largohet atëherë nga futbolli. Le të shkojë në botën reale si një djalosh i ri me ngjyrë, pa edukim, pa luajtur futboll”, tha Barnes për TalkSport.
“Pastaj ai do të shohë se çfarë do të thotë të jesh një person me ngjyrë që po abuzohet në baza racore, do ta shohë se çfarë është diskriminimi i vërtetë”.
“Kam dëgjuar se ai e ka nënshkruar një kontratë të re. A është ai gati të heqë dorë nga ajo kontratë sepse po i humb dashuria për futbollin? Nuk mendoj kështu”.
Barnes beson se futbollistët të ndikuar nga racizmi duhet të bëhet zëri i atyre që po përballen me të njëjtat probleme, por kanë më pak probleme. Ai beson se fuqia e mesazhit nga futbollistët e mëdhenj mund të ketë ndikim në të gjithë komunitetin.
“Sado që futbollistët dëshirojnë të flasin për sa keq e kanë, shiko se çfarë po i ndodh komunitetit me ngjyrë – fëmijët janë pa edukim dhe të mëdhenjtë nuk gjejnë punë”, shtoi Barnes.
“Ne po tentojmë të bëjmë diçka për ta ndryshuar këtë. Këta futbollistë duhet ta përdorin zërin e tyre, të flasin për diskriminimin aty ku me të vërtetë u ndihmon njerëzve”.