Lojtari gjerman i krahut, Leroy Sane ka refuzuar ofertën për të vazhduar kontratën me Manchester Cityn dhe do të largohet nga klubi. Kështu ka thënë trajneri Pep Guardiola të premten.
“Leroy ka refuzuar që të vazhdojë kontratën e tij. Të gjithë e dinë. Nëse në fund të edicionit dy klubet pajtohen, ai mund të largohet. Nëse jo, ai do të largohet në fund të kontratës. Klubi i ka bërë ofertë dy apo tri herë dhe ai ka refuzuar”, ka thënë Guardiola në konferencë për shtyp.
Kontrata e Sanes përfundon në qershor të vitit të ardhshëm, ndërsa ai pritet të transferohet te Bayern Muencheni.
Guardiola ka thënë se ai ka dashur që Sane të qëndrojë, por se lojtari dëshiron të bëjë fillim të freskët.
“Jam shumë i dëshpëruar. Kur i bëjmë ofertë një lojtari ne e bëjmë këtë pasi dëshirojmë ta kemi atë. Ai ka cilësi të veçanta, që është vështirë të gjenden. Ne kemi provuar të vazhdojmë kontratën para lëndimit të tij, por ai ka dëshira tjera. Ne duam lojtarë që duan të luajnë me klubin dhe që kanë synime me ne. Ne e respektojmë atë. Ai është djalë i mirë, lojtar special dhe unë e dua shumë. Nuk kam asgjë kundër tij, por ai dëshiron një përvojë tjetër. Ne do t’i ndihmojmë deri në ditën e fundit në klub”, ka shtuar Guardiola.
Sane kishte kaluar te City nga Schalke në gusht të vitit 2016 për 37 milionë funte. Ai ishte pjesë e ekipit që fitoi titujt në vitet 2018 e 2019, ndërsa ka shënuar 25 gola në 89 ndeshje kampionale. Por nuk është paraqitur këtë edicion për shkak të një lëndimi të ligamenteve në muajin gusht. Ai ishte pranë që të rikthehej para ndërprerjes për shkak të koronavirusit.