Sanije Desku, mamia e 100 lindjeve (Video)

Prishtinë | 07 Jan 2017 | 09:26 | Nga

Derisa mortja kishte mbuluar gjithë vendin dhe në çdo lokacion të Drenicës, Llapushës, Dukagjinit…hapeshin varre, ishte një nënë që i jepte shpresë jetës në Kosovë. Ajo që jepte lajme të mira, ishte një mami që ndihmoi më shumë se 100 nëna të lindnin nëpër shtigjet e luftës, pa kushte elementare higjienike e mjekësore.

Sanije Desku ishte shndërruar në “Nënën e Shpresës” për të gjitha gratë që po pritnin të lindnin në luftë, por edhe kishte arsyetuar atë epitet. Asnjë foshnje nuk kishte vdekur në duart e saj. E shumë prej atyre që lindën mes granatave të forcave serbe, iu kishte lënë edhe emrat.

Sot ajo thotë se është “Nëna e 100 fëmijëve”, përveç atyre biologjikë të saj. Zonja Sanije është në pension mirëpo, ajo nuk heziton të tregojë historinë e saj, që shpesh është rrëqethëse. Në një rrëfim për “Zërin”, ajo tregon përjetimet e saj dhe të familjes gjatë periudhës së para, gjatë dhe pas luftës të vitit 1998-1999.

Ishte viti 1970, kur ajo nga Mitrovica ishte vendosur në Malishevë, menjëherë pas përfundimit të studimeve. Ajo tregon se kishte kryer studimet për infermieri të përgjithshme, mirëpo me kalimin e kohës ajo edhe është bërë mami.

Një vit pasi që filloi punën në Malishevë, ajo kishte asistuar në një lindje, të cilën thotë se nuk do ta harrojë kurrë.

“Për herë të parë kur kam asistuar në një lindje, ajo ka qenë ndjenjë shumë e lumtur, kam qenë shumë e gëzuar sepse kemi arritur që t’i shpëtojmë që të dy, fëmijët dhe nënën. Isha shumë e emocionuar që shpëtuam të dy djemtë dhe nënën”, tregon Sanija.

Që nga ky moment, ajo nuk u ndal duke i ndihmuar gratë e nënat e reja. Ajo tregon se në periudhën e paraluftës ka qenë më e vështirë që t’i bindnin fillimisht burrat e tyre se gratë shtatzëna duhet të vizitohen tek gjinekologu, mirëpo, siç tregon ajo, me punë e përkushtim ia ka dalë që t’i bindë. Por, periudhën të cilën nuk do ta harroj kurrë është ajo e luftës së fundit në Kosovë.

Sanija thotë se nuk kishte as kushte e as gjërat elementare që i duhen për ta kryer një lindje.

“Kushtet si në luftë ma. Duke grantuar, bombardime, këndej lindte fëmija, e qajke, në anën tjetër granatimet e bombardimet nuk u ndalshin. Mirëpo, nuk kam menduar në asnjë moment se a po shpëtojmë unë e nëna, por të shpëtojë nëna dhe fëmija, më dukej sikur i çliruam. Me të vërtetë ka qenë shumë vështir. Nuk kemi pasur as dorëza, as gjërat elementare që nevojiten nuk i kemi pasur. Vetëm me duar të mia kam punuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme