Gjasat që Bashkimi Evropian (BE) t’i vendosë sanksione Serbisë konsiderohen pothuajse minimale për shkak të mungesës së konsensusit brenda BE-së, derisa njohësit e çështjeve politike shprehin paralelisht frikën se cikli i dhunës në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë mund të kthehet sërish pas sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit dhe bllokimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Eksperti i politikës së jashtme të BE-së nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit (DPC), Toby Vogel, në një prononcim për Albanian Post, thotë se kërkesa e Kosovës që njëherë t’i vendosen sanksione Serbisë e tek pastaj të procedohet tutje me procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën kujdesin e BE-së, në këtë moment është jorealiste, për shkak se kërkohet unanimitet në mesin e 27 shteteve anëtare.
Vogel kujton se jo të gjitha vendet anëtare të BE-së mendojnë njësoj kur bëhet fjalë për ndërmarrjen e sanksioneve ndaj Serbisë, derisa përmend faktin se kryeministri hungarez Viktor Orban mbështet hapur presidentin serb Alesandër Vucic dhe, rrjedhimisht, refuzon të pajtohet për vendosjen e sanksioneve, ndonëse një pjesë e tyre tashmë janë skicuar dhe priten veprimet e radhës nga eurokratët në Bruksel.
Hungaria nuk është problemi i vetëm, shton Vogel. Ai beson se ka edhe disa vende të tjera anëtare brenda unionit që mund t’i kundërshtojnë sanksionet ndaj shtetit serb, duke përfshirë Kroacinë dhe Sllovakinë. Megjithatë, ai thotë se ka hapa të tjerë që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell mund t’i ndërmarrë – njësoj sikurse në rastin e Kosovës në muajin qershor.
“Llogaritjet ndryshojnë nëse ka prova të pakundërshtueshme të përfshirjes së qeverisë serbe në planifikimin dhe ekzekutimin e sulmit në Banjë. BE-ja thotë se nuk ka prova të tilla deri më tani – një pretendim që i bën sanksionet të pamundshme. Gjithsesi, ajo që Borrelli mund të bëj është e njëjtë me atë që bëri me Kosovën, ku në fakt nuk u konsultua me të gjitha shtetet anëtare dhe prapë doli dhe tha se 27 shtete vendosin sanksionet kundër Kosovës”.
Jasmin Mujanoviç, analist politik, konsulent dhe kolumnist i shumë mediave të huaja, në një prononcim për Albanian Post, thotë se cështja e sanksioneve ka krijuar probleme politike brenda unionit, përtej çështjeve teknike të planit funksionalist të BE-së, ndërsa shton se përvec Hungarisë, ka indikacione se shtetet e tjera anëtare të BE-së – Austria dhe Qipro – ndoshta edhe Kroacia, janë kundër sanksioneve të BE-së.
“Hungaria ka një ndikim të jashtëzakonshëm mbi politikën e Komisionit Evropian (KE) për Ballkanin Perëndimor dhe Orbani ka qenë shumë i qartë se do të vazhdojë të bllokojë sanksionet kundër Dodikut, njëjtë sikurse do të vazhdojë të bllokojë edhe idenë e sanksioneve visa-a-vis ndaj Vuçiçit dhe qeverisë në Beograd. Kjo pasqyron faktin që Vuçiçi dhe bashkëpunëtorët e tij kanë një audiencë simpatizuesish në një numër të konsiderueshëm kryeqytetesh evropiane”.
Vogel nga ana tjetër jep një shpjegim tjetër se gjasat për vendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë janë minimale. Ai thotë se përfaqësuesve evropianë iu duhet Vucici për të mos e bllokuar dialogun. Vogel argumenton se ideja e vijimësisë së procesit të dialogut është bërë qëllim në vetvete për diplomatët në Bruksel, derisa shton se presidenti serb e ka shfrytëzuar jashtëzakonisht mirë këtë kartë.
“BE-ja dhe SHBA-të janë të dëshpëruar për të vazhduar qasjen e tyre aktuale, edhe pse dialogu nuk ka dhënë asgjë për shumë vite. Dialogu është abuzuar si mjet për menaxhimin e konfliktit apo menaxhimit të krizave dhe Serbia posacerisht e ka luajtur me shumë sukses këtë kartë. Ata prodhojnë kriza pastaj përdorin dialogun për të zbutur krizën”.
Vogel nuk mendon se momentalisht ekziston vullnet as nga ana e kryeministrit kosovar Albin Kurti e as nga pala serbe për të ndërmarrë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve, derisa arsyeton kryeministrin Kurti që nuk e trajton dialogun prioritet të lartë, sepse sipas tij, sidoqoftë Kosova është e bllokuar dhe nuk ka shanse të njihet nga të paktën tre nga pesë shtetet mosnjohëse të BE-së – Spanja, Sllovakia, Greqia, Rumania dhe Qipro.
“Kam frikë se fotografia është shumë e zymtë. Mendoj se dhuna e mëtejshme nuk është vetëm e mundur, por ndoshta e sigurt. Ajo që ndodhi në Banjë është jashtëzakonisht e turbullt… Për sa kohë që këto gjëra mbeten të errëta, mendoj se është shumë e vështirë të parashikohet se çfarë do të ndodhë, por nuk shoh ndonjë gjë pozitive të vijë pas zhvillimeve të fundit”, thotë Vogel.
Optimist nuk shprehet as Mujanovici. Ai konsideron se BE-së do t’i atribuohet edhe një dështim tjetër që do të shkojë në dëm të Kosovës. Mujanovici nënvizon se është vetëm cështje kohe kur presidenti serb do të provojë përsëri të zbatojë modelin e njëjtë sikurse në Banjë.
“Mendoj se është shumë e qartë se BE-ja do të dështojë në këtë test. Kjo do ta bëjë Kosovën më të pasigurt e situatën më të rrezikshme sepse Vuçiçi do të trimërohet dhe, kam frikë, do të jetë çështje kohe përpara se ai të testojë ujërat përsëri mbi një lloj dhune. Ai ka qenë shumë sistematikisht duke vjellur nxehtësi dhe duke normalizuar gjithnjë e më shumë si kërcënimet ashtu edhe përdorimin e dhunës”.