Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka reaguar lidhur me ndëshkimin e 151 minatorëve nga menaxhmenti i “Trepçës”, pasi këta të fundit mbajtën grevë për mosdaljen e pagave të muajit korrik.
SBASHK-u në reagim thotë se është e tmerrshme të ndëshkohen minatorët grevistë të kombinatit “Trepça”.
“E tmerrshme nëse ndëshkohen materialisht minatorët grevistë. Edhe për kundër shumë angazhimeve të djeshme në SBASHK na ka shqetësuar shumë informacioni se ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në ‘Trepçë’ paska marrë vendim skandaloz që të ndëshkojë 151 minatorë pse ata paskan bërë grevë të arsyeshme, sepse u janë vonuar pagat me të cilat ata mbajnë familjet, paga këto që i fitojnë me shumë mund e sakrifica e duke u përballur me të papriturat që vijnë në thellësitë e tokës”, thuhet në reagim.
Sipas SBASHK-ut, e gjithë anëtarësia e Sindikatës solidarizohet fuqishëm me minatorët e “Trepçës”.
“E gjithë anëtarësia e SBASHK-ut solidarizohet fuqishëm me minatorët e gjigantit ‘Trepça’ dhe i drejtohet zt. Enisit që të mos e vërë në jetë këtë ndëshkim. Ai duhet të kujtojë të tashmen, por edhe të kaluarën dhe historinë e ndritshme të minatorëve të ‘Trepçës’, që me sakrificë sublime e me grevën madhështore dikur ndihmuan që historia e Kosovës të ndërrojë kahe për të mirë”, vijon SBASHK-u.
Në fund, Sindikata e Arsimit fton ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv që të heqë dorë nga kjo ide e ndëshkimit.
“Ftojmë ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv në ‘Trepçë’ të heqë dorë nga kjo ide e ndëshkimit të padrejtë dhe të angazhohet që minatorët të marrin pagat e plota e me kohë”, përfundon reagimi.
Abdurrahmani ka bërë të ditur se 151 minatorë kanë bojkotuar punën, pasi kishin mbajtur grevë për mosekzekutimin e pagave për muajin korrik, ku për këta masa financiare do të jetë 176 euro për një punëtor për katër ditë bojkot.
Kujtojmë se minatorë e “Trepçës” kishin mbajtur grevë për disa ditë më radhë, pasi kishte pasur vonesa në ekzekutimin e pagave për muajin korrik.