SBAShK: Mësimdhënësit nuk janë shërbyes civilë

Prishtinë | 18 Sht 2017 | 13:09 | Nga

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka reaguar lidhur me shkresën e Ministrisë së Administratës Publike dhe asaj të të Administrimit të Pushtetit Lokal, të cilët udhëzojnë Komunat e Kosovës se nëpunësit civilë që janë kandidatë për zgjedhjet lokale duhet të marrin pushim pa pagesë një muaj para zhvillimit të zgjedhjeve e deri te certifikimi i rezultateve të këtyre zgjedhjeve.

Si nëpunës civilë, këto dy ministri kanë përfshirë dhe punëtorët e arsimit që subjektet e caktuara politike i kanë vënë në listat e tyre për zgjedhjet lokale.

SBAShK thotë se drejtorive komunale të arsimit dhe drejtorive të shkollave po u bëhet e padrejtë, sepse ata po gjenden në pozitë të keqe duke parë se mungesa e mësimdhënësve për një kohë bukur të gjatë në procesin mësimor po shkakton humbje të orëve dhe çrregullim të procesit mësimor.

Reagimi i plotë:

Ministria e Administratës Publike dhe ajo e Administrimit të Pushtetit Lokal më datën 29 gusht u kanë dërguar Komunave të Kosovës një shkresë e cila thotë se nëpunësit civilë që janë kandidatë për zgjedhjet lokale duhet të marrin pushim pa pagesë një muaj para zhvillimit të zgjedhjeve e deri te certifikimi i rezultateve të këtyre zgjedhjeve.

Komunat këtë urdhëresë të dy ministrive po e vënë në funksion, por jo vetëm për nëpunësit civilë, po edhe për punëtorët e arsimit që subjektet e caktuara politike i vënë në listat e tyre për zgjedhjet lokale.

SBASHK-u konsideron se edhe në zgjedhjet e kaluara lokale, por edhe me këtë shkresë për zgjidhjet e këtij viti , po u bëhet e padrejtë punëtorëve të arsimit sepse ata nuk janë nëpunës civilë.

Po u bëhet e padrejtë edhe Drejtorive Arsimore dhe drejtorive të shkollave sepse ata po gjenden në pozitë të keqe duke parë se mungesa e këtyre mësimdhënësve për një kohë bukur të gjatë në procesin mësimor po shkakton humbje të orëve dhe çrregullim të procesit mësimor .Këtë shqetësim dhe veprim të padrejtë ndaj punëtorëve të arsimit që janë kandidatë për asambletë komunale e ka ngritur edhe Drejtori i DKA-së në Obiliq, Agim Spahiu, i cili ka thënë se ky nuk është shqetësim vetëm i tij, por edhe i drejtorëve të tjerë të Arsimit në komunat e Kosovës.

Për ta ruajtur mirëvajtjen e procesit mësimor në shkollat e Kosovë dhe duke kërkuar që të respektohen ligjet , SBASHK-u i është drejtuar autorëve të shkresës së datës 29.08. 2017, Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Administratës Publike, Arton Berisha dhe Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Rozafa Ukimeraj. Në këtë shkresë veç tjerash thuhet: “ I nderuari Sekretar i përgjithshëm i MAP, z. Arton Berisha, e nderuara Sekretare e përgjithshme e MAPL, znj. Rozafa Ukimeraj ju përshëndesim nga SBASHK.

Ju drejtohemi me lutjen që ju t’u drejtoheni Drejtorive Arsimore të komunave të Kosovës për të sqaruar se shkresa e datës 29.08. 2017 nuk vlen për punëtorët e arsimit që janë kandidatë në listat e subjekteve politike për Asambletë komunale “.

Duke sqaruar angazhimin e vetë lidhur me këtë çështje SBASHK-u në letrën drejtuar këtyre dy ministrive sqaron se kjo kërkesë e SBASHK –ut mbështetet në faktet se : Bazuar në Ligjin mbi Arsimin parauniversitar, Në Ligjin për shërbyesit civil dhe në vetë shkresën tuaj, protokolluar nga MAP me nr. 013-1087 dhe nga MAPL, nr. 2477, punëtorët e arsimit, pasi nuk janë nëpunës civil, nuk obligohen nga këto dy ligje e as nga shkresa juaj që të marrin pushim pa pagesë 1 muaj para zhvillimit të zgjedhjeve lokale e deri në certifikimin e rezultateve të këtyre zgjedhjeve.

Prandaj, I nderuari Sekretar i përgjithshëm i MAP, z. Arton Berisha, e nderuara Sekretare e përgjithshme e MAPL, znj. Rozafa Ukimeraj me mirësi ju lusim që ta sqaroni këtë çështje me Drejtoritë Arsimore dhe kështu do të kontribuohej edhe në mirëvajtjen e procesit mësimor, ngase bazuar edhe në praktikat nga e kaluara është parë se në listat e subjekteve politike për zgjedhjet lokale kudo në komunat e Kosovës është një numër bukur i madh i të punësuarve në arsim dhe mungesa e tyre aq e gjatë në procesin arsimor çrregullon punën në të gjitha ato shkolla.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme