Delegacioni i SBASHK-ut, i kryesuar nga kryetari Rrahman Jasharaj zhvilloi një takim me Ministrin e MASHT, Shyqiri Bytyqi.
Kryetari i SBASHK-ut i prezantoi shqetësimet dhe kundërshtimet e bazuara të punëtorëve të arsimit nga shkaku i rangimit në tabelorin e këtij Projektligjit për pagat duke argumentuar se punëtorët e arsimit nuk janë radhitur në vendin meritor në këtë tabelor, kurse menaxheri për financa dhe administratë , Ymer Ymeri i ofroi Ministrit Bytyri dhe kabinet të tij dokumente e argumente që argumentojnë këtë vlerësim të bazuar të SBASHK-ut.
Delegacioni i SBASHK-ut ka kërkuar nga Ministri Bytyqi që MASHT dhe SBASHK-u të angazhohen bashkërisht për përmirësimin e këtyre lëshimeve në këtë Projektligj për çka Ministri Bytyqi shprehur gatishmërinë e tij dhe stafit të MASHT për angazhim të përbashkët duke theksuar se MASHT me tërë mundësitë do të angazhohet që punëtorët e arsimit të kenë vendin e merituar në tabelorin Projektligjit për pagat.
SBASHK-u vlerëson se Projektligji për pagat bashkë me tabelorin, si i tillë, demanton deklarimet e institucioneve të Kosovës se arsimin e kanë prioritet të parë ngase nga 73 grupet e pozitave në tabelor, punëtorët e arsimit janë ranguar në pozicionet 60, 61 dhe 63 duke i barazuar kështu me profesionet për të cilat kërkohet vetëm arsimi elementar, gjegjësisht arsimimi i mesëm.
Delegacioni i SBASHK-ut ka kujtuar Minsitrin Bytyqi se edhe në kohën e Qeverisë Mustafa Min istria e Administratës Publike kishte përgatitur një version shumë të ngjashëm me këtë tani të projektligjit për pagat duke bërë rangim nënçmues për punëtorët e arsimit dhe se pas kundërshtimit të bazuar të punëtorëve të arsimit ai Projektligj është tërhequr nga procedurat vijuese.
SBASHK-u uron që këto lëshime të përmirësohen dhe punëtorët e arsimit të jenë të ranguar në vend meritor, në të kundërtën do të pasojnë reagime dhe gjithë veprimet legale sindikale si shprehje e pakënaqësisë dhe kundërshtimit ndaj versionit, siç është tani në diskutim publik, të Projektligjit për pagat.