Përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli, bashkë me Këshillin Grevist Qendror kanë vizituar çerdhen “Gëzimi Ynë” në kryeqytet, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari ka thënë greva nuk do të ndërpritet deri në realizimin e kërkesave të tyre, gjithashtu ka porositur institucionet që të mos e pengojnë protestën sepse sipas tij do të ndiqen penalisht
“Ne po presim që qeveria të reflektoj, ministri dhe të gjithë duhet të dinë që nuk duhet të na pengojnë në greve sepse do të ndiqen penalisht. Të gjithë institucionet kanë thënë se greva është legjitime prandaj si të tillë duhet ta përkrahin. Të gjithë duhet ta kuptojnë se hapat e parë i morën tek mësuesit. Nëse të kaluarën kemi punuar për të tjerët, ka ardhur koha që ne të mënojmë për veti. Mjaft kemi punuar për të tjerët. Nëse do të dëgjoni ndonjë lajm se është prish greva unë ju betohem se grevën e ka shpallur drejtuesit e SBAShK-ut, në unitet me të gjithë, grevën do ta mbyllim në pranin e mediave. Greva do të mbyllet vetëm atëherë kur përmbushen kërkesat tona”, tha ai.
Menaxheri për financa në SBAShK, Imer Imeri tha se qeverisë nuk i konvenon ta rritin koeficientin për mësimdhënësit sepse do të ndikonte në uljen e pagave të tyre
“Lëvizje nuk ka pas por vetëm deklarata të ministrit ku ka thënë se kemi bërë kërkesë për paga 600 euro. Dje në universitete ka qarkulluar një dezinformatë se do të ngritët paga e profesorëve dhe jo e administratës kjo është për thyerje të grevës. Propozimi i SBAShK-ut ka ardhur si rezultat i pakënaqësisë. Ju kemi kërkuar me kthye ligjin mbrapa sepse është jashtëzakonisht keq, çerdhet i kanë lënë shume keq. Prindërit vazhdimisht i kanë trajtuar keq mësimdhënësit e çerdheve. Ata nuk e ulin koeficientin e pagave të veta prandaj nuk po ofrojnë zgjidhje. Deri sa ta shohin se ne jemi të vendosur nuk do të ulen”, tha ai.
Kryetari i sindikatave të Shqipërisë, Nevruz Kaptelli u shpreh se kanë ardhur në mbështetje të kërkesave të mësimdhënëseve duke potencuar se edhe në Shqipëri arsimi nuk është i trajtuar mire.
“Ne kemi ardhur këtu për të sjell solidaritetin tonë. Në emër të tyre ju inkurajoj që të qëndroni deri në fund deri në realizimin e kërkesave tuaja. Është fat për juve qe keni një sindikatë kaq të organizuar e të bashkuar. Të dyja qeveritë tona në thelb pretendojnë që kanë prioritet arsimin, por a mund të ketë arsim cilësor kur buxheti i arsimit është në përqindje më të ulët se të gjitha vendet e rajonit”, tha ai.
Kjo është dita e pestë e grevës e nisur nga SBAShK-u, ku ka përfshirë të gjitha institucionet arsimore në gjithë Kosovën, duke filluar nga çerdhet e deri tek institucionet universitare.
Kërkesa e SBAShK-ut është ngritja e koeficientit deri në 30% të pagave. Kjo vizitë është në vazhdën e vizitave të Sindikatës që po bënë në të t gjitha institucionet arsimore të vendit në gjitha komunat.