Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka lëshuar sallën pas rreth dy orë debati me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorive komunale të Arsimit, ku ishte paralajmëruar të arrihej një marrëveshje për kompensimin e orëve të humbura gjatë grevës, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se pas debatit dyorësh nuk është arritur një marrëveshje sepse ministri Shyqyri Bytyqi kërkon që të zëvendësohen të gjitha orët e humbura ndërsa SBASHK-u kërkon që të rritet koeficienti për kolegët e tij dhe atëherë zëvendësohet 1 javë. Sipas tij, është e pamundur të zëvendësohen të gjitha orët e humbura.
“Ministri kërkoi që gjitha orët e humbura të kompensohen gjë që nuk do të ndodhë. Nëse Parlamenti vendos për ngritje të koeficienteve të kolegëve tanë, një javë do zëvendësohet, përndryshe jo”, tha Jasharaj, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se SBAShK-u po pret vendimin e gjykatës i cili do të respektohet çfarëdo që të jetë.
“Jo pas këtij debati dhe një debati që nuk përkon me realitetin ne kemi qëndrime tona në mbrojtje të ligjit. Ligji nuk na obligon me mbajtë mësim. Ne po presim vendimin e gjykatës që cilido qoftë edhe nëse nuk na pëlqen neve ne do ta respektojmë. Le të përmirësohen koeficientët dhe ne do zëvendësojmë një javë, nëse nuk ndodh kështu nuk ka zëvendësim fare”, theksoi Jasharaj.
Më herët gjatë ditës, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha për Ekonomia Online se do të takohet me të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me SBAShK-un dhe se nga ky takim pret të merret një vendim final sa i përket çështjes së kompensimit të orëve të humbura si pasojë e grevës së mësimdhënësve për 3 javë.”
“Do të diskutojmë dhe do të jetë vendimi final. Pastaj do kërkojmë që DKA-të ta zbatojnë udhëzimin administrativ, në të cilin është e përcaktuar plotësimi i normativave për mbylljen e vitit shkollor”, tha Bytyqi.
Ai ftoi SBAShK-un që të bëhet palë në zbatimin e këtij udhëzimi, nëse jo institucionet do të veprojnë sipas ligjit.