Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), i ka dhënë ultimatum Qeverisë që deri të mërkurën të procedojë në Kuvend ligjin me të cilin do të rregullohet statusi i mësimdhënësve të viteve 1990 – 1999.
Përndryshe, drejtuesit e SBASHK-ut kanë paralajmëruar masa radikale, duke përfshirë edhe grevë të përgjithshme, transmeton Ekonomia Online.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, në një konferencë për medie, ka njoftuar se dje ka arritur marrëveshjen me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, për procedimin në Kuvend të Ligjit për mësimdhënësit e viteve të 1990-të.
Këshilli Drejtues i kësaj sindikate ka mbajtur sot takim të jashtëzakonshëm, ku janë diskutuar angazhimet e SBAShK-ut për gjetjen e mundësisë së zgjidhjes së kërkesave së tyre me dialog; si dhe veprimet sindikale.
Pas takimit, Jasharaj i dha ultimatum Qeverisë që të procedojë kërkesën e tyre deri të mërkurën e ardhshme.
“Në kabinetin e kryeministrit Mustafa jemi takuar unë, së bashku me menaxherin financiar, dhe nga ana tjetër ka qenë ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, me këshilltarin e tij. Kemi biseduar në mënyrë konkrete lidhur me atë se çfarë po bëhet me fatin e statusit të ligjit të mësimdhënësve të viteve 90-99”.
“Mbase do të kemi pak telashe me Ministrinë e Financave, por i kam bërë me dije kryeministrit se nëse bëhen oferta tallëse dhe fyese për mësimdhënësit e asaj kohe, ne nuk do t’i pranojmë dhe nuk na mbetet gjë tjetër pos t’i thërrasim mediet dhe të shpallim veprimet sindikale, që nënkupton grevë”, tha Jasharaj.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, të lëshuar pas takimit të djeshëm me drejtuesit e SBAShK-ut, thuhej se Mustafa ka premtuar se “shumë shpejt, MASHT-i, së bashku me Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe SBASHK-un, do të takohen që të fillojnë adresimin e çështjeve që lidhen me punëtorët e arsimit të viteve të 90-të”.