Gjermania shuan shpresat e Ukrainës për një anëtarësim të përshpejtuar në Bashkimin Europian. Kancelari Olaf Scholz, duke folur në Bundestag, tha se nuk ka asnjë rrugë të shkurtër aderimi në bllokun europian por vetëm etapa të përcaktuara qartë.
“Të bënim një përjashtim për Ukrainën do të ishte e padrejtë për vendet e Ballkanit që gjithashtu kërkojnë anëtarësim”, u shpreh kreu i qeverisë gjermane. Scholz i dha të drejtë presidentit francez, Emmanuel Macron, lidhur me procesin e pranimit në BE, duke mbështetur deklaratën se është një procedurë e gjatë dhe e lodhshme që mund të zgjatë për dekada.
Deputetët europianë miratojnë raportin për Shqipërinë: Ka plotësuar kushtet, nisni negociatat
Në muajin prill, kancelari gjerman mbështeti përshpejtimin e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht kërkoi nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sërish në parlament theksoi rëndësinë e afrimit të rajonit me Unionin, për të shmangur ekspozimin ndaj ndikimeve tëhuaja, përfshirë Rusisë.
“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me aspirata për anëtarësim në BE – Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova – janë angazhuar në procesin e reformave shumëvjeçare dhe janë përgatitur për anëtarësim. Nderimi i angazhimeve tona ndaj tyre nuk është vetëm një çështje e besueshmërisë sonë. Sot më shumë se kurrë, integrimi i tyre është gjithashtu në interesat tona strategjike”, tha Scholz.
Scholz më tej foli për rëndësinë e ndihmave ushtarake për Ukrainën. “Ne të gjithë kemi një qëllim të përbashkët: Rusia nuk duhet ta fitojë këtë luftë, Ukraina duhet të mbijetojë”, theksoi ai. Vetëm kur presidenti rus Vladimir Putin të kuptojë se ai nuk mund ta thyejë aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten, ai “do të jetë i gatshëm të negociojë seriozisht paqen, tha kancelari. Për këtë është e rëndësishme të forcohet aftësia mbrojtëse e Ukrainës, përfundoi kreu i qeverisë gjermane./A2CNN