Scholzi i kërkon Kinës t’i bëjë presion Rusisë për t’i dhënë fund luftës

Prishtinë | 04 Nën 2022 | 16:58 | Nga Ekonomia Online

Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka kërkuar Kinës që të përdorë ndikimin e saj në Rusi për të ndalur luftën në Ukrainë, gjatë bisedimeve me presidentin Xi Jinping në Pekin të premten.

Scholzi ka thënë se të dy vendet kishin rënë dakord se kërcënimet bërthamore të Rusisë ishin “të papërgjegjshme dhe shumë të rrezikshme”.

Presidenti kinez ka refuzuar ta dënojë pushtimin e Vladimir Putinit.

Por Xi shtoi se komuniteti global duhet të mbështesë ofertat për t’i dhënë fund krizës në mënyrë paqësore dhe të kundërshtojë përdorimin e armëve bërthamore.

Duke raportuar mbi konkluzionet e dy liderëve, Ministria e Jashtme e Kinës nuk e citoi presidentin Xi duke përdorur fjalët “i papërgjegjshëm” ose “shumë i rrezikshëm”.

Udhëtimi i Scholzit ka ngjallur shqetësim në Gjermani dhe gjetkë në Evropë, pasi lideri kinez kohët e fundit “çimentoi” kontrollin e tij në pushtet.

Vizita e Scholzit në Kinë është e shkurtër, vetëm 11 orë.

Ai është lideri i parë perëndimor që udhëton në Pekin që nga pandemia dhe i pari që takoi presidentin Xi që kur ai forcoi kontrollin e tij në pushtet në Kongresin Kombëtar të Partisë Komuniste muajin e kaluar.

Të ngjashme