Në ditën e fundit të vizitës së tij tre-ditore në Kosovë, sekretari parlamentar shtetëror i Gjermanisë, Frank Schwabe, u takua me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Nexhmi Rexhepi.
Takimi, siç njofton Ambasada Gjermane në Prishtinë, u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe të ngrohtë.
Dyshja diskutoi rëndësinë e sundimit të ligjit si shtylla kurrizore e demokracive të të dy vendeve, sikurse edhe për mënyrat për të forcuar më tej bashkëpunimin gjyqësor mes Gjermanisë dhe Kosovës.
Schwabe vlerësoi rolin qendror të Gjykatës Kushtetuese në udhëheqjen e Kosovës drejt forcimit të sundimit të ligjit dhe ndërtimit të një demokracie të pjekur. Ai dhe Rexhepi u pajtuan për përfitimet e shumta që anëtarësimi në Këshillin e Evropës do t’i sillte sistemit gjyqësor të Kosovës.
“Gjermania do të mbetet një mbështetëse e palëkundur e Gjykatës Kushtetuese dhe e rolit të saj të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit në Kosovë”, citohet të ketë thënë Schwabe.
Temë diskutimi, sipas njoftimit, ishte edhe “forma e përmirësuar së fundi e klubit të preferuar të Schwabes, FC Schalke 04”.