Platforma e dialogut me Serbinë nuk pritet të rezultojë me ndonjë konsensus të gjerë politik në vend.
Përkundrazi, një pjesë e partive politike tashmë kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin platformën në fjalë, sipas së cilës presidenti Hashim Thaçi do të jetë udhëheqës i fazës finale të këtij procesi.
Përderisa LDK-ja ka njoftuar përfundimisht se nuk do ta votojë projekt-platformën e dialogut, Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka bërë të ditur se nuk do ta mbështesë atë në rast se nuk ndryshohet ashtu siç do ta pranonte LVV-ja, shkruan më tutje “Zëri”.
Pos kësaj, ky subjekt po vazhdon të mbetet kundër asaj që presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ta drejtojë fazën finale të negociatave me Serbinë.Kundër Thaçit kryenegociator është deklaruar edhe Partia Socialdemokrate (PSD), përfaqësuesit e së cilës kanë konsideruar se kreu i shtetit nuk është personi adekuat për ta drejtuar këtë proces.
Por pos këtyre edhe qëndrimi aktual i Nismës Socialdemokrate (e cila është në koalicionin qeverisës), është që Thaçi të mos jetë kryenegociator.